Të lënduarit janë dërguar në QKMF-në e Suharekës, ndërsa u desh intervenimi i zjarrfikësve për të nxjerrë pasagjerët meqë autobusi ra në krah.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sot me datë 10.09.2024, rreth orës 07:11 është raportuar për një aksident trafiku në rrugën Carralevë-Duhël. Në aksident janë të përfshirë një autobus dhe një kamion”, tha Bytyqi
Tre persona, përfshirë shoferin e autobusit pësuan lëndime të lehta trupore, tha Policia.
Autobusi po transportonte një grup të pensionistëve nga Kaçaniku drejt bregdetit shqiptar. Ai ishte nisur mëngjesin e të martës.
Kompania e transportit, “Elita Tours” tha se pasagjerët janë mirë dhe se momentalisht po udhëtojnë drejt Shqipërisë përmes një autobusi tjetër të kompanisë.