Kombëtarja A e Femrave ka një takim të vështirë ndaj një eksponenti me eksperiencë në futbollin e femrave siç është Norvegjia. Kjo sfidë është në formën e një play-off me 2 ndeshje brenda pak ditësh. Ndeshja e parë na favorizon duke u luajtur në vendin tonë dhe nëse dalim me një rezultat pozitiv mund të shpresojmë t’i kalojmë vajzat norvegjeze.
Sfida e dytë luhet në kryeqytetin norvegjez në Oslo. “Nordikët” kanë shpalosur listën e lojtareve të ftuara për takimet me Shqipërinë. Këtë e ka bërë vetë menaxherja e përfaqësueses nordike, Gemma Grainger. Në skuadër janë kthyer mungesa si Mjelde dhe Hegerberg.
Trajnerja norvegjeze është shprehur se ka qenë e vështirë për të zgjedhur bazën e listës pasi ka shumë konkurencë në ekipin kombëtar. Ajo shprehet e bindur se vajzat e saj do të fitojnë dhe do të kalojnë më tej. Në radhët e Norvegjisë gjenden lojtare me klube si Fiorentina, Barcelona, Bayern Munchen, Atletico Madrid, Chelsea apo Lyon.
“Ka qenë një dhimbje koke bërja e listës. Të gjitha janë në dispozicion dhe kjo e shton konkurencën në ekip.
Është mirë që janë kthyer dy vajzat që mungonin. Ne duam të bëjmë paraqitje të mira ndaj Shqipërisë, por edhe të fitojmë.
Pritshmëritë tona janë të fitojmë në Tiranë dhe në Norvegji. Shqipëria ka një renditje të ulët, por kjo nuk duhet të na hutojë”, u shpreh Grainger.