Prej disa vitesh, qytetarët e Prishtinës po përballen me vështirësi në transportin publik, duke përdorur autobusë të vjetër ose taksi ilegale për të përmbushur nevojat e tyre të përditshme. Pavarësisht premtimeve të shumta nga autoritetet komunale për një flotë të re autobusësh, procesi i zbatimit të projektit ende nuk ka përfunduar. Kredia prej 10 milionë eurosh e marrë nga BERZh për blerjen e 30 autobusëve të rinj, përfshirë gjashtë elektrikë, ende nuk ka sjellë rezultatet e pritshme, duke e lënë kryeqytetin në pritje të gjatë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në dhjetor të vitit 2022 nënshkroi marrëveshjen për kredi prej 10 milionë eurosh me BERZh (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) në Londër, që do t’i jepet “Trafikut Urban”, ndërmarrjes komunale të transportit publik në Prishtinë. Kjo kredi do të përdoret për blerjen e 30 autobusëve, gjashtë prej të cilëve do të jenë elektrikë me bateri dhe njëzet e katër të modelit EURO VI, së bashku me infrastrukturën për karikimin e tyre.
Tenderi ende nuk është hapur në BERZh për këtë punë, pasi procedurat e prokurimit do të udhëhiqen sipas standardeve të BE-së, megjithatë përzgjedhja e operatorëve do të bëhet nga ekspertë vendorë.
Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje nga NP “Trafiku Urban” lidhur me procedurat për blerjen e këtyre automjeteve dhe kur parashikohet të vijë flota e autobusëve. Nga kjo ndërmarrje kanë hamendësuar sërish një periudhë se kur mendojnë të vijnë autobusët.
“Ndërmarrja jonë, siç dihet, është në proces të blerjes së 30 autobusëve të rinj, prej të cilëve 6 do të jenë elektrikë. Në shkurt të këtij viti është nënshkruar marrëveshja përmes së cilës BERZh-i ka ndarë grant për të ndihmuar ndërmarrjen për shërbimet e konsulencës, procedurë që ka filluar menjëherë dhe ndërmarrja është në punë intensive me kompaninë që do të kryejë këtë shërbim. Ne shpresojmë dhe vazhdojmë të punojmë që këta autobusë të vijnë në fillim të vitit të ardhshëm pasi që numri i qytetarëve që përdorin shërbimet tona po shtohet çdo ditë dhe shtimi i numrit të autobusëve është nevojë imediate”, thuhet në përgjigjen e “Trafikut Urban”.
Kompania e përzgjedhur për shërbimet e konsulencës është “PPG” LLC nga Sarajeva e Bosnjë-Hercegovinës, vend që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Vlera e kontratës është 58,250.00 euro.
Ndërsa “Trafiku Urban” shpreson se autobusët do të mbërrijnë në fillim të vitit, deri më tani autoritetet komunale kanë dhënë disa data për ardhjen e tyre.
Në mars të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, njoftoi se ndërmarrjes publike Trafiku Urban do t’i shtoheshin 30 autobusë të rinj, me negociatat për blerjen e tyre që parashikohej të përfundonin në pjesën e parë të vitit.
“Në pjesën e parë të këtij viti do të finalizojmë negociatat për blerjen e 30 autobusëve të rinj, me ç’rast do të kompletojmë zotimin për autobusët në pronësi publike (80). Po ashtu, në prill do të fillojë prokurimi për operatorët privatë në linja të caktuara, ku kontratat do të jenë afatgjata dhe do të kërkohet investimi në flotë”, kishte thënë ai më 8 mars 2021.
138 ditë më vonë, Shpend Ahmeti konfirmoi ardhjen e autobusëve, duke ndryshuar datën e mbërritjes së tyre.
“Këtë vit Prishtina do të blejë edhe 30 autobusë të tjerë për transportin publik. Gjashtë prej këtyre autobusëve do të jenë elektrikë sipas para-marrëveshjes me BERZh”, njoftoi ai më 23 korrik 2021.
114 ditë më vonë, Shpend Ahmeti rikonfirmoi fjalën, duke thënë se deri në fund të dhjetorit do të blihen edhe këta autobusë.
“Tash na e kanë dhënë kredinë për 30 autobusë të tjerë, ku tetë janë elektrikë. E kam nënshkruar marrëveshjen e parafinancimit dhe besoj që deri në fund të dhjetorit do të blihen edhe këta autobusë”, përsëriti ai më 13 nëntor 2021.
367 ditë më vonë, me zgjedhjet lokale që nxorën një administratë të re në Prishtinë, nënkryetari aktual, Alban Zogaj, njoftoi se marrëveshja për autobusët e rinj do të nënshkruhej brenda vitit 2022. Në një postim me gjashtë emoji autobusësh, Zogaj deklaroi se autobusët do të mbërrinin në Prishtinë vitin e ardhshëm.
“Me EBRD po negociojmë kredinë e re, në vlerë prej mbi 10 milionë euro, për blerjen e autobusëve të rinj! Marrëveshja nënshkruhet këtë vit. Autobusët do t’i kemi në Prishtinë vitin e ardhshëm”, shkroi ai më 14 nëntor 2022.
Në dhjetor 2022, Komuna e Prishtinës nënshkroi marrëveshje për kredi prej 10 milionë eurosh me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për blerjen e 30 autobusëve për ndërmarrjen publike Trafiku Urban.
177 ditë më vonë, me marrëveshjen e nënshkruar tashmë me BERZh/EBRD, kryetari i tanishëm i Prishtinës, Përparim Rama, tha se do të sjellin 30 autobusë shtesë, 6 prej tyre elektrikë, duke shpresuar se kjo do të bëhet brenda vitit.
“Shpresojmë që deri në fund të këtij viti do t’i sjellim këta autobusë”, tha ai më 10 maj 2023.
71 ditë më vonë, duke dhënë “superlajmin” se 10.000 udhëtarë më shumë po përdorin autobusët e Trafikut Urban, njoftoi se shumë shpejt do të vinin edhe 30 autobusë të rinj.
“Shumë shpejt flotës së Trafikut Urban do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrikë. Kjo do të përmirësojë tutje shërbimet e ofruara për qytetarët”, shkroi më 20 korrik 2023.
75 ditë më vonë, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, i cili në fund të vitit 2022 kishte thënë se “autobusët do t’i kemi në Prishtinë vitin e ardhshëm”, e mbajti fjalën duke thënë përsëri se autobusët do të vijnë vitin e ardhshëm.
“Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një kontratë kredie me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim për blerjen e 30 autobusëve të rinj. Jemi në procedura të prokurimit dhe shpresojmë që në pjesën e parë të vitit 2024 do të kemi 30 autobusë të rinj të Komunës së Prishtinës”, deklaroi ai më 3 tetor 2023.
Tre muaj më parë, nënkryetari Alban Zogaj caktoi një datë të re. Ai për Klan Kosovën në maj 2024 tha se flota e autobusëve do të vijë në fund të këtij viti.
“Besojmë shumë se deri në fund të vitit do të vijnë autobusët e rinj. Do të jenë 30, gjashtë prej tyre do të jenë elektrikë. Ende nuk dihet se sa do të jetë vlera e tyre. Kjo varet nga ofertimet. Por, ne kemi marrë kredi prej 10 milionë euro”, tha ai.
Aktualisht, kjo kompani e transportit publik në radhët e veta i ka 51 autobusë. Me ardhjen e 30–të të tjerëve numri i tyre do të shkojë në 81. /Demokracia.com/