Qeveria e Japonisë protestoi të mërkurën ndaj sanksioneve të vendosura nga Moska ndaj disa biznesmenëve japonezë nga kompani si Toyota dhe Rakuten, të cilëve u është ndaluar hyrja në territorin e Rusisë për mbështetjen e Ukrainës, raporton EFE.
“Nuk mund t’i pranojmë kurrë masat që Rusia ka njoftuar kësaj here, sepse pengojnë aktivitetet e drejta të kompanive japoneze,” deklaroi zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yoshimasa Hayashi, në një konferencë për shtyp.
“Rusia pretendon se kjo është një kundërmasë ndaj sanksioneve të Japonisë, por të gjitha sanksionet që kemi aplikuar vijnë si pasojë e shkeljes së qartë të së drejtës ndërkombëtare me pushtimin e Ukrainës,” tha zëdhënësi.
Për këtë arsye, Tokio “i ka përcjellë Rusisë protestën” përmes kanaleve diplomatike dhe “do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të mbrojtur qytetarët dhe kompanitë japoneze në Rusi,” shtoi Yoshimasa Hayashi.
Ministria e Jashtme njoftoi një ditë më parë ndalimin për një periudhë të pacaktuar të hyrjes në Rusi për 13 qytetarë japonezë që kanë lidhje me kompani dhe institucione të përfshira në mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës.
Moska theksoi se kjo vendim është pjesë e hakmarrjes kundër qeverisë japoneze për sanksionet e aplikuara ndaj Rusisë për “operacionin e saj special ushtarak.”
Në listën e të sanksionuarve është presidenti i Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Tanaka Akihiko, i cili vizitoi Ukrainën në korrik të vitit të kaluar dhe magnati Hiroshi Mikitani, pronari i konglomeratit të teknologjisë dhe tregtisë elektronike Rakuten, i cili udhëtoi në Kiev në shtator me ministrin e atëhershëm të jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi.
Personat e tjerë të sanksionuar janë kryetari i bordit të Toyota Motor, Akio Toyoda, dhe Makoto Amemiya, kreu i një kompanie të pajisjeve për çminimin që ka furnizuar Ukrainën me këtë lloj pajisjesh.
Rusia kishte vendosur tashmë një ndalim të hyrjes në territorin e saj për një periudhë të pacaktuar që përfshin kryeministrin Fumio Kishida, kryetarët e dy dhomave të Parlamentit dhe gazetarët japonezë.
Japonia, në koordinim me vendet anëtare të G7, ka aplikuar ndaj Rusisë disa raunde sanksionesh që nga pushtimi i Ukrainës, të cilat përfshijnë masa të presionit financiar ndaj përfaqësuesve politikë dhe të biznesit, si dhe ndalimin e eksporteve të produkteve si gjysmëpërçuesit dhe mallra të tjera me përdorim të dyfishtë.