Tirana ka vetëm një mision, një qëllim dhe vetëm një mundësi. Të mundë Skënderbeun. Në momentin aktual të kampionatit, bardheblutë nuk mund të bëjnë më gabime, sepse nuk e kanë luksin për një barazim apo humbje me skuadrën e fundit të Superiores.Një nga këto dy rezultate do të thoshte që Tirana është kandidate kryesore për të rënë nga kategoria dhe do të ringjallte shpresat e Skënderbeut për një vend në Superiore. Një fitore nga ana tjetër do të sillte qetësi dhe do të ishte bashkë me Laçin dhe ekipet e tjera në luftë për të dalë nga zona e ftohtë dhe të luftojë për vendet 6-7. Bardheblutë kanë fituar vetëm me Bylisin dy sfida dhe një herë me Skënderbeun. Nga 24 ndeshje kanë 3 fitore, 14 barazime dhe 7 humbje, një situatë që është delikate për bardheblutë.
Tirana, ashtu si çdo skuadër tjetër në Superiore ka edhe 270 minuta lojë për të mbyllur fazën e tretë. Do të presë Skënderbeun, udhëtojnë në Durrës dhe më pas derbi me Dinamon. Duke përjashtuar derbin që ka tri rezultatet, Tirana ka detyrë për të mundur si korçarët dhe Teutën. Për bardheblutë janë 180 minuta vendimtare, që përkthehen në 6 pikë. Nëse këto pikë nuk merren, atëherë Tirana kandidohet seriozisht në zonën e ftohtë të fundtabelës dhe rrezikon rënien nga kategoria.
ANTI-SKËNDERBEU – Me mungesat “kilometrike”, Shkëmbi do ta ketë shumë të vështirë të bëjë 11-shen antiSkënderbeu. Porta dihet se do të mbrohet nga Selmani. Mbrojtja do të jetë e përbërë me Vera, Dembele, Kola dhe Meta. Mesfusha me Rafael, Smaçin dhe ndoshta Abah, pasi shpresohet një mrekulli nga Soleri. Në sulm treshja Bajroviç, Zharmuni e Ernest. Në stol, veç të rinjve do të ketë Prengajn, Mihanën e Harizajn. Tirana do të presë Skënderbeun në “Elbasan Arena”.
NDESHJA – Sfida e vlefshme për javën e 25-të të Superiores do të luhet të dielën në orën 16:30. Të dyja klubet kanë rënë dakord për zhvillimin e ndeshjes në Elbasan. Kështu bardheblutë rikthehen sërish atje, pasi kishin pritur përballjen me Elbasanin në “Niko Dovana”. Ky duel për mbijetesën është mjaft delikat. Aktualisht Skënderbeu mban vendin e fundit me 3 pikë më pak se Tirana e parafundit