Tifozët shqiptarë dhe kroatë në Europianin e Gjermanisë janë shembullorë. Grupet e tifozerisë shihen duken festuar së bashku në rrugët dhe bar-et e qyteteve gjermane. E njëjta atmosferë vjen edhe nga Hamburgu. Ndryshe nga sa kemi parë mes tifozerive të Anglisë dhe Serbisë si dhe Turqisë e Gjeorgjisë ku nuk kanë munguar aktet e dhunshme.
Ata e quajnë njëri-tjetrin “vëlla”. Në bluzën e një tifozi kuqezi shkruhet: “Vëllai pranë vëllait, shqiptari pranë kroatit”. Nuk mungojnë as thirrjet në kor kundër Serbisë dhe kombëtares së këtij vendi.
Sot Shqipëria dhe Kroacia do të luajnë në “Volksparkstadion” të Hamburgut ndeshjen e dytë në finalet e Europianit, por rivaliteti duket se do të jetë vetëm në fushën e blertë. Në shkallët e stadiumit do të mbizotërojë festa mes dy tifozerive.
Si Shqipëria ashtu edhe Kroacia kanë humbur ndeshjen e parë, respektivisht përballë Italisë 1:2 dhe Spanjës 0:3. Ndeshja e dytë në grupe duket përcaktuese për të ardhmen e të dy kombëtareve në këtë europian.