Qeveria e Kosovës njoftoi, por nuk sqaroi se për cilin rast e ftoi Prokuroria Speciale e Kosovës kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në datën 16 dhjetor.
Burime të Radios Evropa e Lirë në këtë prokurori konfirmojnë se ftesa ka të bëjë me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e Kurtit, Rozeta Hajdari.
Rasti i rezervave shtetërore
Rezervat shtetërore u bënë fillimisht kryelajm në gusht të vitit 2023, kur flitej për keqpërdorimin e tyre.
Atëkohë u arrestuan disa persona, në mesin e të cilëve edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Hajdari.
Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali “Nacionale” në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.
Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.
Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.
Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.
Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.
Opozita kërkoi dorëheqjen e Hajdarit, por ajo mohoi se ka arsye për një gjë të tillë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në anën tjetër, kërkoi që të pritet epilogu i rastit.
Radio Evropa e Lirë pyeti në Prokurorinë Speciale se deri ku kanë arritur hetimet, por nuk mori përgjigje.
Çka janë rezervat shtetërore?
Rezervat shtetërore përbëhen nga mielli, vaji, sheqeri, barnat, produktet higjienike, nafta etj., që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme – si pasojë e fatkeqësive natyrore apo luftërave – por edhe në rast të mungesës së këtyre artikujve në treg.
Ato i menaxhon Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Kosova nisi mbledhjen e këtyre rezervave nga viti 2012.
Ato sigurohen me buxhet të shtetit, por edhe nga mallrat që konfiskohen për shkak të veprave kundërvajtëse dhe kalojnë në pronësi të shtetit.
Se sa është sasia e këtyre rezervave nuk dihet, meqë ky informacion, me Ligjin për rezervat shtetërore, konsiderohet sekret shtetëror, ashtu si edhe vendndodhja e tyre.
Ftesa për Kurtin si dëshmitar
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, njoftoi përmes një postimi në Facebook, mbrëmjen e 11 dhjetorit, se Prokuroria Speciale i ka dërguar thirrje Kurtit për t’u paraqitur për dëshmi më 16 dhjetor.
Kryeziu nuk dha hollësi rreth kësaj thirrjeje dhe nuk iu përgjigj as interesimit të Radios Evropa e Lirë për të kuptuar më shumë.
Ai kritikoi sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi Kryeziu në Facebook.
Në thirrjen që e shpërndau, thuhet se Kurti është ftuar të dëshmojë në një rast që lidhet me veprën penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës.
Me këtë nen sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në një ngjarje më 12 dhjetor, gazetarët e pyetën Kurtin në lidhje me thirrjen nga Prokuroria, por ai nuk u përgjigj.
Qeveria e tij është në prag të përfundimit të mandatit katërvjeçar.
Gjatë këtyre viteve, së paku dy ministre ishin nën hetime, ose në procedura gjyqësore.
Përveç Hajdarit, e cila në fund të vitit 2022 u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u përball po ashtu me akuzën për mosdeklarim të pasurisë.
Si kryeministër, Kurti e kritikoi në disa raste sistemin e drejtësisë, duke e përshkruar si joefikas dhe të ngadaltë.
Progres