Themeluesi i revistës së ekstremit të djathtë Compact, e cila së fundmi u ndalua nga qeveria gjermane, sulmoi ekzekutivin e Berlinit të shtunën dhe shpalli mbështetjen e tij për presidentin rus Vladimir Putin, raporton DPA.
Jürgen Elsässer mori një ovacion të fortë për komentet e tij në një takim të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në shtetin lindor të Gjermanisë Saksoni-Anhalt.
Elsässer e quajti ministren e Brendshme Nancy Faeser një fashiste, Ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorius një kriminel lufte dhe ofendoi udhëheqësen e të Gjelbërve Ricarda Lang në një fjalim në konferencën e AfD.
“Dhe sigurisht nuk do të më ndalojnë të them: Unë jam mbështetës i Putinit”, deklaroi Elsässer nën duartrokitjet e turmës.
Revista e themeluar dhe drejtuar nga Elsässer, Compact, u shpall jashtë ligjit nga Ministria e Brendshme më 16 korrik, pasi dyshohet se u bë “një zëdhënës kryesor i skenës ekstremiste të krahut të djathtë”.
Megjithatë, Jürgen Elsässer së fundmi fitoi një fitore paraprake në gjykatë pasi gjyqtarët shprehën dyshime për proporcionalitetin e veprimeve të qeverisë dhe hoqën ndalimin, të paktën tani për tani.
Vendimi i Gjykatës Federale Administrative në Gjermani nënkupton që revista mund të botohet sërish, por në kushte të caktuara. Megjithatë, gjykata nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje dhe do të kryejë procedura shtesë.
Elsässaer u shfaq i sigurt në konferencën e AfD në Magdeburg dhe tha se suksesi i tij në gjyqësor tregon se “fitorja është e mundur”. Ai i uroi suksese AfD-së në zgjedhjet e ardhshme rajonale në Saksoni-Anhalt.
Gazetari u ankua se shteti “grabitqar” ishte ende në zotërim të disa aseteve të Compact dhe tha se do të kërkonte dëmshpërblim dhe kompensim nga Nancy Faeser.
Ai gjithashtu njoftoi synimin e tij për të krijuar një shërbim poste urgjente dhe foli për “mijëra porosi” për revistën.
Ai tha gjithashtu se ka sjellë 200 kopje të Kompaktit në konferencën e AfD për t’i shitur ato.