Thellohet skandali i Onkologjikut dhe mosreagimit të institucioneve lidhur me pajisjen e kobaltit e cila u la nga viti 2021 jashtë çdo standardi në ambiente të papërshtatshme pavarësisht rrezikut real të jetës së shumë njerëzve.
Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte bërë një audit në 2022 rreth situatës në këtë spital, ku zbuloi një numër të madh shkeljesh duke hartuar edhe një sërë rekomandimesh. Onkologjiku sipas KLSH-së, nuk ka patur asnjë të dhënë mbi situatën e kancerit në vend prej më shumë 10 vjetësh.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet ndërkohë se organi i akuzës u vendos në dijeni të këtyre të dhënave përmes një emisioni investigativ, në dhjetor të 2023 dhe prej kësaj kohe i kishte kërkuar raportin KLSH-së, por që nuk ishte dorëzuar apo adresuar në dyert e drejtësisë.
Prokuroria thotë se është detyruar ta sekuestrojë raportin në cilësinë e provës materiale, ku në këtë në të konstatohen problematikat e evidentuara. Burime pranë organit të akuzës thonë se do merren në pyetje inspektorët rreth motiveve se pse nuk e kanë kallëzuar shkeljen e rëndë.
Ndërkohë, hetimet lidhur me këtë çështje, pavarësisht se kishte më herët edhe referime të tjera, ka filluar kryesisht nga prokuroria ku pas finalizimit të operacionit të koduar “Rrugëtimi” nën fushën e ilaçeve kontrabandë ku u konstatuan disa barna spitalore, dhe administrimit të disa informacioneve në rrugë operative, u fillua hetimi nga prokurori “kryesisht” mbi një një skemë të dyshuar abuzimi dhe që zgjati disa muaj ku u përdorën metoda speciale hetimi si proaktive ashtu dhe veprime të hapura.
Lidhur me operacion, kujtojmë se vitin e kaluar janë vënë në akuzë 18 shtetas. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tregtonin medikamente të ndryshme mjekësore të kontrabanduara, nga Greqia, Italia dhe Kosova, të cilat më pas i shisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier, dhe Vlorë, me çmime shumë të larta.
Këtë të enjte në orën 10 zhvillohet në gjykatën e Tiranës seanca për vlerësimin e kushteve të masave të sigurisë për 7 persona nga të cilat shumica mjekë, drejtues e staf i Onkologjikut.