Një zbulim i ri arkeologjik ofron të dhëna të reja në lidhje me periudhën e Dinastisë Hasmone, ku arkeologët zbuluan një tezaur prej 160 monedhash me një moshë mbi 2 mijë vjet, të premten, gjatë festës së Hanukës, sipas një njoftimi nga Universiteti i Haifas, transmeton TPS të hënën.
Monedhat e zbuluara të premten datojnë nga vitet 80-79 para erës sonë dhe mbajnë efigjinë e mbretit Aleksandër Jannaeus, i njohur gjithashtu me emrin e tij hebre Jonathan (Jonahtan Aleksandër Janaj), i cili ka sunduar gjatë periudhës 103-76 para erës sonë dhe ishte nipi i Simon Hasmoneut (Simon Maccabeus), një nga liderët e kryengritjes kundër Perandorisë Seleucide dhe që përkujtohet gjatë periudhës 8-ditore të festës së Hanukës.
Në çdo monedhë ndodhet një yll me 8 brinjë, rreth të cilit është mbishkrimi në arameisht “Mbret Aleksandër”, ndërsa në anën tjetër ka një ankorë dhe një tekst në greqisht.
“Të gjithë arkeologët, por edhe studentët dhe vullnetarët që morën pjesë në këto gërmime arkeologjike shprehen emocionuar nga zbulimi i një tezauri të tillë nga Dinastia Hasmone, veçanërisht gjatë periudhës së Hanukës, një fakt që i shton një domethënie të veçantë lidhur me këtë festë, duke pasur parasysh edhe periudhën e vështirë që po kalon populli ynë”, tha Dr. Shai Bar, nga Instituti i Arkeologjisë Zinman në Universitetin e Haifas, një nga koordinatoret e gërmimeve.
“Shpresoj që ky vend do të bëhet një sit që do tërheqë vizitorët dhe do të shtohet në listën e sitëve arkeologjikë dhe të trashëgimisë kulturore të vendit tonë”, shtoi ai.
Hasmonejt ishin një dinasti hebraike që sunduan Judenë gjatë periudhës së shekujve II dhe I para erës sonë. Kjo dinasti luajti një rol kyç në restaurimin e pavarësisë dhe identitetit kulturor të hebrenjve në një periudhë dominimi të huaj.
Dr. Yoav Farhi, kurator i Pavijonit të Monedhave të Hershme në Muzeun Eretz Izrael në Tel Aviv, theksoi rrallësinë e këtij zbulimi, veçanërisht në kuadër të gërmimeve të organizuara arkeologjike. Ky tezaur është një nga më të mëdhenjtë që është zbuluar në Izrael dhe ofron informacione të rëndësishme lidhur me Dinastinë Hasmone, sipas tij.
Gërmimet u zhvilluan në një vendpushim të lashtë, ku ndodhet edhe një banjë rituale pastrimi, një pishinë depozitimi dhe struktura të tjera, që ndodhen në atë që dikur ishte rruga kryesore që çonte në kalatë Sartaba (Aleksandria), të ndërtuar nga mbreti Aleksandër Jannaeus.