Tetë persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur gjatë një zjarri që shpërtheu natën mes të dielës dhe të hënës në një azil pleqsh në Barajevo, një lagje periferike e Beogradit, sipas një bilanci të ri, raporton AFP.
Një bilanc i mëparshëm raportonte gjashtë të vdekur dhe shtatë të plagosur.
“Fatkeqësisht, tetë persona kanë humbur jetën në zjarr. Duhet të përshëndes reagimin e shpejtë të shërbimeve të sigurisë që shpëtuan, ose më mirë të themi evakuuan, 13 persona. Por, para së gjithash, dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave,” deklaroi për mediat lokale ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Nemanja Staroviç.
“Një hetim është në proces dhe besoj se zyra e prokurorit do të mund të japë të dhëna zyrtare shumë shpejt, gjatë ditës së sotme,” shtoi ai.
Sipas kreut të sektorit të emergjencave, Luka Çausiç, 30 persona ndodheshin në azil në momentin kur shpërtheu zjarri, në orën lokale 2:30 (4:30 sipas orës së Shqipërisë).
Të plagosurit janë transportuar nga shërbimet e emergjencës në një spital ushtarak në Beograd.
“Mund të konfirmoj, fatkeqësisht, se gjashtë persona kanë humbur jetën në këtë institucion ku jetonin persona të moshuar (…). Trembëdhjetë persona janë shpëtuar,” deklaroi për televizionin publik RTS kreu i Emergjencave, Luka Çausiç.
“Është një tragjedi e madhe, por mund të kishte qenë edhe më keq,” tha ai.
Të hënën, autoritetet po kryenin kërkime për t’u siguruar që nuk kishte më vatra aktive zjarri.
Ai theksoi se azili është i izoluar, por zjarrfikësit reaguan shpejt.