Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se tetë persona janë arrestuar lidhur me shpërthimin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër-Lepencit.
Sveçla tha se po ashtu është konfiskuar arsenal armësh dhe municion eksploziv e uniforma ushtarake.
“Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste, siç janë sulmet e fundit me grana ndaj stacionit policor dhe komunës së Zveçanit dhe tani edhe sulmi terrorist i mbrëmshëm ndaj infrastrukturës kritike, ku u dëmtua rëndë kanali i ujit Ibër-Lepenc janë sulme që dirixhohen nga Serbia dhe ne për këtë mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar.
Pas këtij sulmi me eksplozivë, që cilësohet si më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës, të gjitha institucionet relevante të Kosovës kanë bashkërenduar aktivitet në terren. Ky sulm terrorist nuk është vetëm një sulm rastësor por i organizuar e planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste, e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra, synimi ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shteti tët Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione në veri të vendit janë bërë kontrolle me ç rast janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore 8 persona të dyshuar mbi dyshimin për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Kontrolli i realizuar ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali të armëve dhe municioni eksploziv, pajisjeve të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma ushtarake”, tha Sveçla në konferencën e jashtëzakonshme për media.