Kosova ka nisur ta testojë urën e Ibrit në Mitrovicë për të cilën Qeveria shprehet e bindur se do të hapet. Perëndimi i tha kryeministrit Albin Kurti se nuk duhet ta bëjë tash. “Konsultimet dhe koordinimi” i paralajmëruar me ndërkombëtarët duket se nuk po shkon mirë. Policia thotë se është e gatshme ta ekzekutojë ndonjë urdhër të mundshëm për hapjen e urës së mbyllur që prej përfundimit të luftës më 1999. KFOR-i ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë këtë, me trupat e misionit paqeruajtës së NATO-s që po qëndrojnë në urë dhe përreth saj.
KKFOR-i e ka shtuar praninë në dhe përreth urës së Ibrit në Mitrovicë, pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se ajo do të hapet.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë paralajmëroi të martën se nuk do të hezitojnë të përballet me çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.
“Ne nuk do të hezitojmë të përballemi me asnjë zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin tonë që buron nga OKB-ja. Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konstant gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha KFOR-i në një komunikatë për media.
Paraditen e së martës, KFOR-it tha se komandanti Ozkan Ulutash ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha se një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër do të ndodhë së shpejti.
Të njëjtën KFOR e përsëriti sot edhe kur përfundoi një protestë e serbëve në Veri, të cilët ndër tjera u mboldhën për të protestuar edhe kundër hapjes së Urës së Ibrit.
Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka angazhuar tashmë një kompani, të cilës ia ka dhënë një kontratë 9 mijë e 640 euroshe për t’ia bërë një test urës që të përcaktohet kapaciteti mbajtës i strukturës së saj, para se ajo të hapet për qarkullim të automjeteve.
Sipas kontratës, “IPE-PROING” në fund do t’i prezantojë vlerat e matjeve nga testimi dhe do ta bëjë një vlerësim për masat që duhet të merren.
Të mërkurëm përfundi urës, aty ku ishin Ministrat Xhelal Svecla dhe Elbert Krasniqi filloi ngjyrosja e urës nga disa punëtorë.
KFOR-i tregoi dje se po mban trupa në atë urë dhe po kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri “për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale”, pasi ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe mministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi e vizituan urën Ibrit.
Sveçla tha se ura do të hapet dhe se “nuk ka arsye” që kjo të mos bëhet. “Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”.
Edhe sot, ai me Krasniqin ishin te ura e Ibrit. “Po vend i lirë është. Është një vizitë e rregullt bre, nuk është diçka e jashtëzakonshme”, tha ai para gazetarëve që e pyetën se për çfarë shkoi atje.
Foli edhe për inspektimin, për të cilin tha se “është në proces” dhe se ndahen në dy faza.
“Jemi sipas planit që po e ndajmë me të gjithë bashkëpunëtorët, nuk po shoh asgjë të jashtëzakonshme”, tha Sveçla.
Ai tha se çështja e urës “nuk është çështje e dialogut fare”, duke përmendur vendimin për hapjen e saj, për të cilin tha se “tashmë është publik”.
Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë bërë të ditur ditë më parë se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Këtë e bëri të ditur ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier para mediave të premten, pasi ambasadorët ishin në Qeveri për një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Kurti insiston se ajo “do të hapet” dhe atë ditë përfaqësuesve diplomatikë të QUINT-it ua paraqiti atyre planin për hapjen e urës, i cili parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë”, u tha në atë komunikatë, por gjërat nuk duket se po shkojnë mirë në këtë drejtim.
Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri tha të hënën se “është koha për organizimin një tubim madhështor, në të cilin, qytetarët e Veriut dhe Jugut të Mitrovicës, njëzëri kërkojnë hapjen e Urës së Ibrit”. Në postimin e tij në Facebook, u kërkoi qytetarëve që të përcaktohet nëse janë pro apo kundër kësaj.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha të martën se Kurti “po provokon” dhe se po tenton “të shkaktojë konflikte”, para zgjedhjeve në SHBA.
“Ai nuk dëshiron të presë një ndryshim serioz në Shtëpinë e Bardhë dhe administratën amerikane dhe para kësaj po përpiqet të na kthejë kundër NATO-s. Ai është shumë nervoz”, tha Vuçiq.
Disa serbë protestuan sot në Mitrovicën e Veriut. “Nëse hapet ura, KFOR dhe QUINT do të jenë përgjegjës”, ishte një nga mesazhet.
Vuçiq dje e përmendi Bahtirin, duke thënë se “me urdhër të Kurtit tashmë ka caktuar një kundërtubim si kundërpërgjigje ndaj tubimit serb në anën tjetër të urës”.
“Po shpresoj që nesër KFOR-i të reagojë si duhet, që në përputhje me atë që kanë thënë ditët e kaluara, do ta mbyllin urën dhe do ta parandalojnë pushtimin e shqiptarëve, sepse e pashë që Bahtiri, me urdhër të Kurtit tashmë kishte caktuar një kundërtubim si kundërpërgjigje ndaj tubimit serb në anën tjetër të urës”, tha ai.
Policia e Kosovës, ndërkohë, thotë se është e gatshme që ta ekzekutojë çdo urdhër të mundshëm për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila e ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore, të banuar kryesisht nga serbët.
Çështja e urës së Ibrit u riaktualizua në fund të majit, kur zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut tha se se po diskutonin për këtë dhe se “është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapet dhe si do të hapet”.
Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një seancë të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut kishin kërkuar që të zbatohej një vendim i mëhershëm për hapjen për qarkullim të urës.
Komuna aktualisht udhëhiqet nga Erden Atiq i LVV-së.
Bashkimi Europian thotë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.
Një vendim për hapjen e urës ishte marrë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar në dialog që ura të hapej për qarkullim, por në praktikë gjendja nuk ka ndryshuar. Ura mbetet e barrikaduar. E hapur është vetëm një vijë anash për këmbësorë.
Çështja e hapjes së urës do të jetë objekt diskutimi nesër në Kuvendin Komunal të Mitrovicës. Kryeministri nëpërmjet një postimi sot i ftoi serbët që të shkojnë aty për t’u njoftuar me “përfitimet e hapjes së urës”. /Express/