Sipas “Portalb”, terrenet sportive në disa shkolla fillore të Kumanovës janë në gjendje të keqe, pa kushte të përshtatshme dhe me mungesë hapësirash e pajisjeve sportive. Nxënësit dhe stafi i shkollave shprehin shqetësime dhe kërkojnë përmirësime, ndërsa institucionet nuk kanë gjetur ende një zgjidhje për këtë problem.
Në shkollën fillore “Bajram Shabani” mungojnë këndi i lojërave, fusha e futbollit dhe basketbollit. Nuk ka mjaftueshëm ulëse dhe kosha për mbeturina, gjelbërimi është i pamjaftueshëm dhe hapësirat janë të ndara me tela të dëmtuar. Një pjesë e oborrit është e pa shfrytëzuar dhe mungojnë pajisje të brendshme si karrige dhe banka.
Në shkollën fillore “Vuk Karagjigj”, me vetëm 60 nxënës, shkallët janë të vjetërsuara, muret janë të dëmtuara dhe rrjetat e golave janë të shqepura. Pjesa ku ulet publiku është vetëm me shkallë betoni dhe te këndi i lojërave mungojnë pllakat. Hapësira e jashtme ka shumë mangësi për mbajtjen e aktiviteteve sportive.
Shkolla fillore “Naim Frashëri” me 1200 nxënës përballet me mungesë terreni. Nxënësit nuk kanë fusha të futbollit, basketbollit apo volejbollit. Hapësira e pasme është e mbuluar me barishte të papërdorshme dhe mungojnë ulëse dhe kënde për lojëra.
Shkolla fillore “Krste Misikrov” dhe “Braqa Miladinovci” ndajnë të njëjtin objekt dhe kanë hapësira më të mëdha e më shumë gjelbërime. Megjithatë, mungojnë ulëse dhe kosha për mbeturina, asfalti është i dëmtuar dhe muret janë të mbuluara me vizatime që e bëjnë shkollën të duket e shëmtuar. Dera e hyrjes nga pas është e shkatërruar dhe mungon fusha e volejbollit.
Nxënësit shprehin dëshirën për hapësira me kushte më të mira sportive dhe kënde lojërash. Riga Hasani, një nxënëse e klasës së nëntë në shkollën fillore “Bajram Shabani”, theksoi nevojën për një oborr më të mirë shtruar, kënd lojërash për nxënësit e klasave të para dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Alpi Shabani, një tjetër nxënës i të njëjtës shkollë, tha se mungojnë gjelbërimi dhe fusha për basketboll e futboll, si dhe ulëset për gjatë pushimit.
Drejtoresha e shkollës “Bajram Shabani”, Bergjyle Saliji, pranoi se hapësira është e pa shfrytëzuar dhe ka nevojë për më shumë gjelbërim dhe vend për ulje. Ajo theksoi se mungojnë shumë elemente dhe riparimet janë bërë vetëm për gjëra të vogla. Drejtori i shkollës “Vuk Karagjigj”, Ivica Gjorgjievski, tregoi se shkolla e tyre ka vetëm një kënd lojërash dhe mungon parku për fëmijët. Muhamet Zeqiri, drejtori i shkollës “Naim Frashëri”, theksoi mungesën e terrenit dhe përdorimin e hapësirave të shkollës “Vuk Karagjigj” për aktivitete sportive. Aleksandra Stamenovska, drejtoresha e shkollës “Krste Misirkov”, tregoi se shkolla ka një sallë sportive të ndërtuar në vitin 1984 që ka nevojë për rinovim, si dhe një sallë të vogël sportive për nxënësit më të vegjël. Oborri i shkollës është i madh dhe mund të përdoret për aktivitete sportive, por nevojiten stola dhe kosha plehrash.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës thekson se me procesin e decentralizimit, shkollat fillore dhe të mesme janë nën juridiksionin e komunave, të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Çdo kërkesë për investime shqyrtohet me kujdes dhe vendimet merren bazuar në prioritetet dhe buxhetin vjetor. Komuna e Kumanovës nuk ka dhënë ende një përgjigje për pyetjet gazetareske lidhur me këtë problem.