Hezbollahu ka nisur një sulm me dron në veri të Izraelit që ushtria izraelite tha se plagosi dy trupa izraelite dhe ndezi një zjarr.
Bëhet e ditur se sulmi vjen pasi është rritur frika për një luftë gjithëpërfshirëse rajonale pas vrasjeve të javës së kaluar të një komandanti të lartë të Hezbollahut në Liban dhe udhëheqësit kryesor politik të Hamasit në Iran.
Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, tha në një deklaratë se kishte shënjestruar një bazë ushtarake në veri të Izraelit në përgjigje të “sulmeve dhe atentateve” të kryera nga Izraeli në disa fshatra në Libanin jugor.
Sulmi nuk dukej se ishte pjesë e një hakmarrjeje më intensive që pritej si përgjigje ndaj vrasjes së komandantit të Hezbollahut, Fouad Shukur në Bejrut javën e kaluar.
Siç raportohet, ushtria izraelite ka njoftuar se shërbimet zjarrfikëse po punojnë për të shuar zjarrin që u ndez si rezultat i sulmit në Ayelet HaShahar në Galilenë e sipërme, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer sulme thuajse ditore për 10 muajt e fundit në sfondin e luftës në Gazë, por më parë ata e kanë mbajtur konfliktin në një nivel të ulët që nuk ishte përshkallëzuar në luftë të plotë.
Vrasjet e javës së kaluar të liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në kryeqytetin e Iranit, Teheran, dhe komandantit të Hezbollahut, Shukur në Bejrut, ngritën tensionet në rajon.
Madje, tani Izraeli po përgatitet për një hakmarrje nga Irani dhe milicitë aleate të tij.
Sipas kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, “Izraeli është tashmë në një luftë me shumë fronte”.
“Kushdo që dëmton vendin tonë do të mbahet përgjegjës”, tha Netanyahu në një ceremoni përkujtimore shtetërore në Jerusalem.
Ndërsa situata në Lindjen e Mesme bëhet më e tensionuar, shumë linja ajrore perëndimore kanë anuluar fluturimet drejt Izraelit dhe Libanit.