Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e ka pranuar se ka folur një herë me Milan Rajdojçiqin, për çështje të sigurisë. Ajo theksoi se incizimet e publikuara në media, janë fabrikime. Përgjimet kanë nxitur përplasje të ashpra verbale mes saj dhe deputetëve të opozitës edhe në seancën e Kuvendit, e cila u ndërpre pas largimit të opozitarëve. Ligjvënësit u akuzuan mes vete për koordinim me Beogradin e për tradhti kombëtare.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka pranuar të enjten se ka komunikuar me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq, gjatë kohës që ishte në kërkim nga institucionet e Kosovës më 2022, nën akuzën për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
Në një konferencë për media, Kusari tha se ka biseduar me Radojçiqin, vetëm një herë dhe atë në gjuhën shqipe. Ndërkaq përgjimet e publikuara në “Paparaci”, ku pretendohet së ajo është duke komunikuar me Radojçiqin, Kusari i quajti montazhe e fabrikime, meqë tha se nuk ka kërkuar asnjëherë votë nga Lista Serbe për Ligjin për pagën minimale apo për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.
“Vetëm një bisedë ka ndodhur me Radojiçiqin, në gjuhën shqipe. I qëndroj prapa. Ajo që kam dëgjuar dje nuk është bisedë autoktone, është e montuar. Zëri im mund të këputet dhe të ngjitet me pyetjet që ai i ka bërë pastaj dhe janë të incizuara pastaj”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas saj, biseda me Radojçiqin ka ndodhur me insistim të shefit të deputetëve të Listës Serbe (LS), Slavko Simiq. Ndonëse jashtë kompetencave, tha se ka biseduar me Radojqiqin për të garantuar qetësi në veri.
“A biseda tjetër në gjuhën shqipe, ai ka qenë në arrati, është e vërtetë, ai ka qenë në Serbi, kur ai ka insistuar ta lëshojë. Ideja ka qenë e garancës se nuk do të ketë telashe në veri, për të cilat pastaj nuk ka pasur asnjë aksion, as follow-up. Pas një jave, e ka sjellë një letër kërcënuese, me të cilën ka përfunduar çdo komunikim me Listën Serbe”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, komunikimi me Simiqin e Listën Serbe tha se ishte bërë për projektligjet vitale që kërkojnë votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e komuniteteve.
Ndaj këtyre përgjimeve ku dëgjohet koordinim mes LVV-së e LS-së, reaguan zyrtarët më të lartë opozitarë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e quajti kryeministrin Albin Kurti, spiun të Serbisë.
“Kurrë s’kanë ndodhur shqiptarët me e bashku votën me Listën Serbe kundër UÇK-së… Kjo tregon se Kosovën e udhëheq njeriu i Serbisë, spiuni i Serbisë”, tha Haradinaj.
Ndërkaq shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se në koordinim me LVV-në, Radojçiq e ka përcaktuar vendimmarrjen në Kuvend.
“Ne po ua bëjmë të qartë që me këtë parti politike nuk do të bashkëpunojmë në asnjë rrethanë, në asnjë moment, përderisa e kanë kryetare të Grupit Parlamentar një person, që tashmë është e qartë që koordinimin për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës e bën me Milan Radojçiqin, me vrasësin e Afrim Bunjakut”, theksoi Tahiri.
Milan Radojçiq ka qenë nënkryetar i Listës Serbe. Ai ka dhënë dorëheqje, pasi e ka pranuar se ka organizuar sulmin terrorist në Bansjkë vitin e shkuar dhe është në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komunikimet mes Kusarit e Radoiçiqit kanë nxitur përplasje të ashpra verbale mes saj dhe opozitës edhe në seancën e Kuvendit.
Seanca e së enjtes devijoji në një diskutim krejt tjetër prej atij që ishte përcaktuar në rend të ditës.
Shefat e grupeve parlamentare në opozitë e vlerësuan të rëndësishme që mbledhja e deputetëve t’i shërbejë një debati të jashtëzakonshëm. Kërkuan diskutim për përgjimet e publikuara. Kërkesa për debat doli në votim, por opozita s’pati vota mjaftueshëm për ta miratuar.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, refuzoi të vepronte në kundërshtim me Rregulloren që të mundësonte debatin, por megjithëkëtë shefave të grupeve parlamentare ua mundësoi fjalën dhe disa replika.
Gjatë kohës që Kusarit iu dha fjala, ish-deputeti i LVV-së, Haki Abazi, e rrethoi kabinetin qeveritar me shiritin e skenave të krimit.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se qytetarët duhet të dinë se çka është komunikuar mes Kusarit e Radojçiqit.
“Ky Kuvend dhe qytetarët e këtij shteti meritojnë ta dinë për çfarë kushtesh është negociuar me kryekriminelin… Ky Kuvend, qytetarët e Republikës së Kosovës, duhet të informohen se cili ka qenë pazari i këtij negocimi”, tha Tahiri.
E shefi i deputetëve të PDK-së tha se ky komunikim është njollë e zezë për Kuvendin.
“Kurrë njollë më të zezë ky Kuvend nuk do të ketë sesa ky komunikim që ka ndodhur dhe ky diktim i Kuvendit të Kosovës prej Milanit e prej Mimozës. Kurrë”, deklaroi Tahiri.
Edhe në seancë, Kusari tha se biseda me Radojqiqin në përgjime ka qenë e montuar.
“Kjo çka ka dalë dje është fabrikim i plotë. Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojçiqit, imagjinojeni kur të dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit, nga zyrtarë e nga udhëheqës, imagjinojeni kush e ka vizituar”, ka thënë ajo duke iu drejtuar opozitës.
Gjatë kohës që Kusari ka folur, ajo është penguar nga opozita duke goditur tavolinat, e nga kolegët e grupit duartrokitej.
“Është fatkeqësi për Kosovën që sot kemi një turmë entuziastësh që duartrokasin një fatkeqësi kombëtare koordinimi me një terrorist, është fatkeqësi kombëtare në rastin më të lehtë nëse jo koordinim për tradhti kombëtare”, tha shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
Në kundërpërgjigjen e saj, Kusari radhiti veprime të tjera që ajo i kualifikoi si tradhti.
“Tradhti kombëtare ka qenë me ia marrë votat e Listës Serbe për ta formuar Gjykatën Speciale për ta dënuar UÇK-në atje… Tradhti kombëtare është me diskutu me Listën Serbe e Beogradin shkëmbimin territorial, me i marrë tokë Kosovës”, ka thënë ajo.
Kusari e akuzoi opozitën se nuk mund të funksionojë pa praninë e Listës Serbe.
“Time, pjesa e Qeverisë në të cilën ke qenë ti ka qëndruar këtu në Kuvend 7 orë, e ka pritur Listën Serbe të vijë prej Beogradit, t’i japë votat, që Ramush Haradinaj me u bë kryeministër. A të kujtohet se ke votuar në orët e vona të shtatorit të vitit 2017 për me ardhë Vuçiqi me ta leju Ramushin me tu bo kryeministër”, ka thënë ajo duke iu drejtuar deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj.
“Mimoza Kusari, unë jam Time Kadrija edhe çka e mbaj me mburrje jam ushtare e lirisë. Ramush Haradinaj është gjeneral, familje emblematike e ti çka je Mimozë? Unë ty kam me të mbajt mend si zemlakja e Radojiçiqit dhe si valltare e Gadafit”, u kundërpërgjigj Kadrijaj.
Por, deputeti i LDK-së Gashi tha se ardhjen e Listës Serbe e kishte pritur edhe Mimoza Kusari.
“Kur është pritur shtatë orë që të vijë Lista Serbe ta votojë Qeverinë, ka qenë ulur bashkë me ne këtu prapa. Ndoshta është ky i vetmi moment i lavdishëm i saj. Më vjen keq ku shkon kufiri i pafytyrësisë së saj”, ka thënë Gashi.
Pasi debati nuk u mundësua, opozita e lëshoi sallën e Kuvendit. Pa deputetët e saj, pushteti e pati të pamundur vazhdimin e seancës meqë mungoi kuorumi dhe seanca u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër.
Për çështjen e përgjimeve, deputetë të opozitës kanë bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për ditën e premte. Për atë mbledhje kanë propozuar rezolutë që kërkon hetimin e Kusari-Lilës dhe shkarkimin e saj nga funksioni i kryetares së grupit parlamentar të LVV-së.