Parisi është gati që Olimpiadën t’ua prezantojë miliona njerëzve, përmes një ceremonie hapëse në lumin Sena, dicka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
Ceremonia do të nisë në orën 19:30. E për në Paris kanë udhëtuar të enjten edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Ata kanë marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Inatet e Prishtinës, duket se dy krerët institucional të Kosovës i kanë marrë me vete edhe në Paris, shkruan Demokracia.com.
Osmani e Kurti ka postuar fotografi nga ky aktivitet, por ata s’i kanë bërë vend njëri-tjetrit në albumet e postuara në rrjetet sociale.
Presidentja Osmani ka postuar fotografi me shumë personalitete, mes tyre edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Sonte, në Louvre historik, së bashku me Prindonin ishim të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Miqësi, partneritet e diskutime për të ardhmen, siç është edhe fryma e Lojërave Olimpike.”, ka shkruar Osmani.
Edhe Kurti në rrjetin social Instagram ka postuar disa fotografi nga kjo ngjarje, por aty nuk shfaqen Osmani e as Rama.
“Në Paris, për të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar, dhe për të mbështetur sportistët tanë që na përfaqësojnë krenarisht në Lojërat Olimpike 2024.”. ka shkruar Kurti.