Dy shtetas banues në Berat, kanë raportuar në polici për një incident ku dy persona, duke lëvizur me një automjet, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre në lagjen “Donika Kastrioti”, pranë spitalit. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Mësohet se dy shënjestrat e atentatit kanë qenë Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbi (shokë me njëri-tjetrin).
Ata kanë qenë tek “Karburant Merko” kur nga një automjet, tip Ford i zi, është qëlluar në drejtim të tyre. Merkaj dhe Dhëmbi kanë ikur me vrap nga karburanti në drejtim të spitalit, ndërkohë që makina i ka ndjekur nga prapa duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tyre.
Ndërkohë që dy shënjestrat janë larguar në brendësi të lagjes “Donika Kastrioti”, atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Fatmirësisht, asnjë nuk është plagosur nga breshëria e kallashnikovit, as shënjestrat dhe as kalimtarët e rastit. Mësohet se autorët e atentatit janë dy vëllezërit Fatjon dhe Marko Maloku, banues në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat.
Sipas të dhënave, të siguruara nga burime konfidenciale, mësohet se konflikti mes dy grupeve ka nisur në Greqi, për prishje të pazareve të drogës mes tyre.
Mësohet se policia, pas identifikimit të autorëve, është duke punuar për kapjen e tyre.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon kontrollet në zonë për të kapur autorët.
‘Shtetasit A. M., dhe A. Dh, banues në Berat, kanë njoftuar Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat se dy persona që lëviznin me një automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, në lagjen “Donika Kastrioti”, në afërsi të spitalit. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe si rezultat i reagimit të shpejtë dhe punës paraprake hetimore është bërë e mundur identifikimin i dy autorëve që kanë qëlluar me armë zjarri por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e tyre.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.’, njofton policia.