Ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës sot në Strasburg do të mbajnë sesionin vjetor në 75-vjetorin e themelimit të Organizatës.
Kosova deri më tani nuk është rend dite.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, dje njoftoi se i ka dërguar një letër Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me anë të së cilës u zotua se deri në fund të majit, Kosova do ta përpilojë një draft-statut të Asociacionit.
Kjo çoi në përplasje me presidencën, ku në reagimin e tyre u tha se për këtë letër s’ka pasur koordinim në mes të krerëve të shtetit.
Në takimin e para disa ditëve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i mbajtur në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës.
Por, agjenda e takimit të sotëm do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit, raporton RTKlive.
Në fund të takimit, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë Presidencën e Komitetit të Ministrave.
Ministrja e Lihtenshtajnit për Punët e Jashtme, Arsimin dhe Sportin, Dominique Hasler, do të bëjë vlerësimin e presidencës së saj.
Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonyte, do të prezantojë prioritetet e presidencës së vendit të saj.
Sot në orën 13 është caktuar një konferencë për shtyp me Ministrin e Jashtëm të Lihtenshtajnit, Kryeministrin e Lituanisë dhe Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq.