Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se kthimi në dialog dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, duke përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Edhe shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka theksuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e vetmja rrugë përpara përmes së vilës mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak, në anën tjetër, tha se pati bisedë të “hapur” me liderin serb për gjendjen e tanishme të dialogut dhe se “u pajtuam për hapat e radhës për periudhën që po vjen”.
Lajçaku ishte për vizitë në Beograd, një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Me Kurtin, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.
Në ditën e vizitës në Kosovë, Lajçak është shprehur i bindur se Asociacioni përfundimisht do të themelohet. Ai këtë deklaratë e ka bërë në një intervistë për Kosovo Online. Ai tha se fren sigurie për Asociacionin është fakti se fjalën e fundit për të do ta thotë Gjykata Kushtetuese.
“Për më tepër, procedura e parashikuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 përmban dy “kontrolle sigurie” në lidhje me kushtetutshmërinë e statuteve të Asociacionit – një fren sigurie, nëse dëshironi. Pas harmonizimit në kuadër të dialogut, ku fillimisht deklaron qeveria, statuti do t’i referohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim, që do të thotë se fjalën e ka edhe gardiani i Kushtetutës së Kosovës. Kështu që unë ju pyes – çfarë mund të shkojë keq? Si mund të jetë Asociacioni i dëmshëm apo i rrezikshëm për Kosovën nëse fjalën e fundit për Statutin e ka Gjykata Kushtetuese?
Gjithashtu, jam i bindur se përfundimisht Asociacioni do të themelohet sepse Kosova është e obliguar ta bëjë këtë sipas ligjit ndërkombëtar. Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjithmonë përmbushjes së këtij detyrimi. Është obligim që qeveria e atëhershme e kishte marrë vullnetarisht në vitin 2013. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë dy të tretash. Edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh (mos)themelimin e Asociacionit si çështje të sundimit të ligjit dhe ka reaguar në përputhje me rrethanat e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pa neglizhuar obligimet e tjera në kuadër të dialogut, çështja e Asociacionit është më e madhe se një detyrim “i thjeshtë” nga dialogu. Ai pasqyron qasjen e qeverisë ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe sundimit të ligjit”, u cituat të ketë thënë Lajçak.
Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak u bëri thirrje të dyja vendeve të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.
Ai ka thënë se i është kërkuar të “qëndrojë edhe pak në këtë post”, duke bërë të ditur se puna e tij si ndërmjetës në dialog do të vazhdojë.