Dy policë të Kosovës janë suspenduar për shkak të pretendimeve të një qytetari të Mitrovicës së Veriut, se është rrahur.
Kështu ka bwrw tw ditur zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy policëve, për shkak të dyshimit se më 26 tetor kanë keqtrajtuar Millosh Subotiqin nga Mitrovica e Veriut.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, ata u rekomanduan që të suspendohen, pasi kjo është në interes të hetimeve që po kryen Inspektorati për këtë rast.
“Inspektorati Policor, në kuadër të kompetencave ligjore, do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me organin kompetent për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Suspendimi i policëve vjen pasi një qytetar i Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Millosh Subotiq, pretendoi se ishte rrahur pasi ishte arrestuar për “vandalizëm”, raporton REL.
Policia e Kosovës i ka mohuar pretendimet e Subotiqit dhe ka thënë se ai kishte qenë i dehur dhe kishte tentuar që të dëmtonte një pronë private.
Lidhur me këtë incident kanë reaguar disa organizata joqeveritare serbe nga veriu i Kosovës, të cilat kanë ndërprerë bashkëpunimin me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), derisa të japin një qëndrim për këtë rast.