Superliga e Europës po avancon. A22, kompania promovuese e turneut, i ka dërguar një letër prej 20 faqesh UEFA-s, duke kërkuar njohjen zyrtare të garës, bazuar në vendimin e favorshëm të dhënë një vit më parë nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (GJED).
Në këtë vendim, UEFA dhe FIFA detyroheshin të njihnin “çdo garë që siguron kualifikimin në mënyrë gjithëpërfshirëse, meritokratike dhe që respekton kalendarin global,” kushte që A22 pretendon se i përmbush.
Në dokumentin, të cilin e ka siguruar gazeta AS, janë zbuluar detaje të reja mbi garën, e cila tashmë ka një emër zyrtar: Liga UNIFY. Kjo platformë streaming, përveç transmetimit të drejtpërdrejtë të ndeshjeve, do të ofrojë momentet më të mira dhe përmbledhje, analiza të ndeshjeve dhe përmbajtje ekskluzive për çdo klub dhe ‘yjet’ e tyre.
Platforma Unify do të funksionojë sipas një modeli me disa opsione. Opsioni falas, i mbështetur nga reklamat, do t’u mundësojë tifozëve të shohin të gjitha ndeshjet e Ligës UNIFY drejtpërdrejt pa asnjë kosto. Gjithashtu, do të ofrohen abonime për ata që preferojnë të shohin ndeshjet me më pak reklama, me funksione të avancuara si përzgjedhja e kamerave për të ndjekur ndeshjen, statistika ‘live’ dhe opsione të tjera interaktive.
A22 ka njoftuar UEFA-n për planin e saj, i cili përfshin ndryshime të reja në formatin e garës. Më i rëndësishmi është se kualifikimi vjetor në çdo kampionat kombëtar do të përcaktojë hyrjen në secilën nga katër kategoritë e strukturës së Ligës UNIFY, e cila do të përfshijë gjithsej 96 klube të ndara në katër kategori.
Në kategorinë e parë, Liga Star, me 16 ekipe, do të marrin pjesë më të mirët nga çdo kampionat kombëtar, të ndarë në dy grupe me nga 8 klube. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në kategorinë e dytë, Gold. Ndërsa, kategoritë e treta dhe të katërta do të kenë nga 32 pjesëmarrës secila.