Ndërsa forcat e Kievit po avancojnë tutje brenda Rusisë që nga inkursioni befasues javën e kaluar, ukrainasit që jetojnë afër kufirit kanë mbetur me ndjenja të përziera: një ndjenjë drejtësie e kombinuar me frikën se çfarë mund të vijë më pas.
“Kjo është pasojë e ardhjes së rusëve në tokën tonë”, i ka thënë CNN-it Hanna Fedorkovska nga një qendër evakuimi në Sumy.
“Ne u futëm në territorin e tyre jo sepse deshëm, por sepse ata erdhën në shtëpinë tonë dhe na morën jetën e qetë. Tani ata duhet të merren me këtë. Shpresoj që të mos jetë e kotë dhe se ne do të arrijmë paqe”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se forcat e Kievit po arrijnë më në brendësi të Rusisë pasi pretendoi marrjen e qindra kilometrave katrorë të territorit të saj.
Fedorkovska shkoi në qendrën e evakuimit me gjyshen e saj. Të dyja ishin në mesin e qindra ukrainasve të evakuuar nga zonat kufitare në ditët e fundit.
Sulmi befasues i Ukrainës në Rusi i ka lënë disa ukrainas, përfshirë Fedorkovskan dhe gjyshen e saj, të shqetësuar për atë se çfarë ndodhi sapo Rusia të mbledhë mjaftueshëm trupa në zonë për t’i shtyrë mbrapa trupat ukrainase.
“U uroj fat djemve tanë, sepse nëse nuk i mbajnë tokat ruse që i kanë marrë, mendoj se do të ketë shumë telashe për rajonin Sumy. Do të jetë një Mariupol i dytë”, ka thënë Sergey Zemlyakov, ish-ushtar që kishte luftuar në rajonin e Donbasit më 2014 dhe 2015.
Nila Buhaiova, që punon në Departamentin për Mbrojtje Sociale në Sumy, ka thënë se qindra njerëz kanë shkuar në qendër ditët e fundit.
Por, në rajonin rus të Kurskut autoritetet kanë thënë se rreth 180,000 njerëz janë urdhëruar të evakuohen, me mijëra të tjera të evakuuar nga rajonet tjera.
Megjithatë, për shumë ukrainas është e vështirë të ndiejnë keqardhje për fqinjët e tyre.
Njerëz që janë më larg vijave të frontit shpresojnë se t’u japësh rusëve të njëjtën gjë që ata kanë bërë për dy vjet, do të ndihmojë në përfundimin e luftën.
“Është një sinjal për Rusinë se çdo veprim mund të shkaktojë një reagim. Ju sulmoni –sulmojmë edhe ne”, ka thënë Borys Lomako, një pronar kafeneje nga Kharkivi.
Ai ka thënë se beson se kundërofensiva do ta ndihmojë Kharkivin – një qytet që ka qenë nën bombardime të vazhdueshme për muaj – të marrë frymë më lirshëm.