Një hulumtim i KALLXO.com zbardhë se në kohën e Qeverisë Kurti- 1, një projekt i cili do garantonte siguri rreth 10 ditore për furnizim me ujë industrial e ujë të pijes për rajonin e Prishtinës, ishte anuluar edhe përkundër se studime të fizibilitetit të Bankës Botërore rekomandonin investimin.
Në vitin 2016, Banka Botërore kishte rekomanduar një projekt i cili do të mundësonte ndërtimin e një rezervuari sigurie në afërsi të Prishtinës i cili do të garantonte që Termocentralet e Kosovës dhe sistemi i ujësjellësit në Shkabaj të kenë furnizim të pavarur dhe të sigurt nga liqeni i Ujmanit për të paktën 7 ditë.
Të dhënat e zbuluara nga KALLXO.com zbulojnë se bordi i Ibër- Lepencit, i zgjedhur nga Qeveria Kurti- 1 në vitin 2021, e anuloi këtë projekt, i cili ishte paraparë që të ndërtohej nga një kredi ndërkombëtare.
Mihaliqi është një fshat afër Obiliqit. Skaj tij kalon kanali i Ibër- Lepencit i cili furnizon me ujë nga Ujmani qytetin e Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, termocentralet Kosova A e Kosova B, fabrikën e Ferronikelit, etj..
Kanali i Ibër-Lepencit është njëri nga projektet jetike të furnizimit me ujë për pjesën më të madhe të Kosovës. Në kanalin e ndërtuar në kohën e Jugosllavisë, nga liqeni i Ujmanit i cili ndodhet në Zubin Potok, uji rrjedhë nëpër një kanal të hapur deri në Graçanicë, në dalje të Prishtinës.
Sistemi, përpos ujitjes dhe nevojave industriale, përdoret për të furnizuar sistemet e ujësjellësit për Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë (fabrikën në Shkabaj) ndërsa ka një vijë të veçantë, por me kapacitet të vogël, që nëpërmjet pompave mund ta mbushë edhe liqenin e Badocit.
I tërë sistemi i bartjes së ujit është i ndërtuar si akuadukt, kanal i hapur betoni. Një pjesë e tij është e shtrirë në tokë, ndërsa një pjesë e tij është e ngritur në shtylla betoni, të cilat në disa pika arrijnë edhe 10 metra lartësi mbi nivelin e tokës.
I tërë ky kanal është në rrezik të përhershëm nga dëmtimi, si nga forcat natyrore (tërmetet, vërshimet, etj.) ashtu edhe nga sabotimet apo sulmet terroriste të cilat mund të kenë për qëllim t’a lënë tërë ekosistemin pa ujë, si resursin kryesor. Në vitin 2014 një studim i realizuar për llogari të Ibër- Lepencit, e i financuar nga Banka Botërore, ofronte zgjidhje e cila garantonte që, në rast tërmeti apo sulmi terrorist, zona përreth Obiliqit e Prishtinës nuk do të mbeteshin pa ujë.
Mihaliqi, fshati afër Obiliqit ishte identifikuar si zonë ku mund të ndërtohej një digë, një rezervuar sigurie, një liqen shtesë artificial, i cili do të grumbullonte ujin i cili vjen nga Ujmani.
Logjika e këtij rezervuari sigurie, sipas Hajdar Beqajt, i cili kishte drejtuar Ibër- Lepencin deri në përfundimin e projektit ideor, ishte që të ndërtohej një akumulues uji që do të garantonte siguri për secilën situatë. Hajdar Beqaj, i cili drejtoi Ibër- Lepencin deri në vitin 2014, sot është deputet i PDK-së. Në një bisedë për KALLXO.com ai tregon se studimi i fizibilitetit, i realizuar atëkohë, rekomandonte ndërtimin e digës dhe liqenit të Mihaliqit, të cilët do të siguronin ujë për të paktën 10 ditë në çfarëdo situate.
“Projekti i modernizimit të Ibër- Lepencit ka filluar në kohën kur unë kam qenë Kryeshef, unë e kam iniciuar i pari. Kam bërë parakontratë, paramarrëveshje me Bankën Botërore. Kemi paraparë edhe një rezervuar në Mihaliq. Tash nuk është duke u zbatu, e kanë heqë rezervuarin, nuk e di pse… mund ta pyesni menaxhmentin aktual, të emëruar nga Kurti.”- thot Beqaj.
Ai tregon se diga e Mihaliqit ishte projektuar për të grumbulluar rezervë ujore për të paktën 10 ditë për të gjitha asetet, përfshirë ujësjellësin dhe termoelektranat.
Në hulumtimin e KALLXO.com zbulohet se diga e Mihaliqit u anulua në vitin 2021, në kohën kur kryeministër ishte Albin Kurti, ndërsa Ibër- Lepenci qeverisej nga një Bord i përkohshëm i emëruar nga qeveria Kurti.
Jonuz Kabashi atëkohë ishte emëruar UD i kryeshefit të Ibër- Lepencit. Kabashi është drejtor në komunën e Istogut që udhëhiqet nga LDK. Ai kishte garuar në zgjedhje lokale si kandidat i LDK-sê për asamble të Istogut.
Kabashi sot punon në Ibër- Lepenc dhe e pranon se vendimarrja për të larguar projektin u krye gjatë kohës kur ai ishte UD i kryeshefit dhe kur bordi ishte i zgjedhur nga qeveria Kurti- 1.
Në një bisedë për KALLXO.com, Kabashi kujton diskutimet të cilat lanë jashtë projekteve investive rezervuarin e sigurisë së ujit në Mihaliq.
“Ka qenë në kohën e Qeverisë Kurti- 1, kur ka qenë Bordi i përkohshëm. Sipas meje, arsyetimi ka qenë që projekti nuk ka qenë i projektuar si duhet, ishte dashtë me u ndërtu në vendin e duhur, dhe me u mbushë me rënje të lirë, uji që nuk lëvizë avullohet dhe krijon alga…”- thot Kabashi.
Në pyetjen se si e kanë kontestuar studimin e fizibilitetit të Bankës Botërore i cili rekomandonte ndërtimin e digës dhe rezevruarit të ujit në Mihaliq, nuk ka përgjigje konkrete. Ai konfirmon se bordi nuk kishte një studim të dytë të fizibilitetit i cili do të mbështeste tezën se diga nuk duhet të ndërtohet.
“Ka qenë kërkesë e bordit dhe e menaxhmentit. Kërkesa ka qenë e vazhdueshme edhe para meje edhe pas meje. Projekti nuk i ka arsyetuar investimet, arsyetimi ekonomik nuk ka qenë.”- thot Kabashi.
Vigan Syla është zyrtar në Ibër- Lepenc dhe menaxhon pjesën tjetër të investimeve të Bankës Botërore (BB) në kanalin e Ibër- Lepencit. Në qershor të vitit 2022 projekti i BB nisë të implementohet dhe në të parashihen investime, por, pa e përfshirë digën dhe rezervuarin e sigurise për ujë në Mihaliq.
Syla konfirmon se në projektin bazë ishte planifikuar diga, mirëpo ajo është larguar dhe ai nuk i di arsyet.
“Unë jam koordinator i projektit, nuk e di cila qeveri, unë veç menaxher jam, por mund të ju njoftojmë më vonë… investimi diku ka qenë rreth 10 milionë. Ka qenë projekt i Bankës Botërore.”- thot Syla. Ai tregon se projekti i ndërtimit të rezervuarit të sigurisë për ujë në Mihaliq ishte paraparë të niste më 2021 dhe do të përfundonte për 24 muaj.
Në kontekstin e ngjarjeve të nëntorit 2024, Syla pretendon se projekti i Mihajiqit do të ofronte zgjidhje.
“Nëse kish nisë në vitin 2021, në kushte normale, plani dinamik ka qenë 24 muaj… kishte mujtë me qenë në një fazë që kishte mujtë me kry punë.”- thot Syla.
“Ka qenë një projekt, ndërtimi i një akumulacioni, një ujëmbledhës ku akumulohet uji, një digë, dhe nga ajo digë pastaj shfrytëzohet. Projekti i Mihaliqit ka pasur mundësi që deri në dy- tre javë, varësisht sa merr, por që na kish ndihmu me rehabilitu siç na ka ndodhë rasti tash së fundmi.”- thot Syla. Ai konfirmon se projekti që ishte paraparë të niste me 2021 ishte planifikuar të përfundonte për 24 muaj.
Beneficionet e Rezervuarit të Sigurisë për ujë
“Ai projekt ka qenë i planifikuar për raste emergjente, për raste avarie, me furnizu me ujë të pijës dhe termocentralet për nevoja të tyre… deri në 10 ditë kish mujtë me zgjatë furnizmi me ujë nga ai ujëmbledhës.”- kështu e përshkruan Hajdar Beqaj projektin e digës së Mihaliqit.
Mbrëmjen e datës 29.11.2024, një sulm terrorist goditi kanalin e Ibër- Lepencit dhe la pa ujë disa qytete të Kosovës dhe shkaktoi një panikë kolektive.
Faruk Mujka është drejtor ekzekutiv i Ibër- Lepencit. Ai është emëruar në këtë pozicion nga Qeveria Kurti- 2 dhe është person i njohur si eksponent i Vetëvendosjes, pasi ishte kryetar i degës së kësaj partie për Mitrovicë.
Mujka ka shpallur tender për pjesën tjetër të projektit dhe thot se nuk di se çka ka ndodhur me digën e Mihaliqit e cila u anulua nga bordi i cili ishte emëruar nga Albin Kurti.
“Unë kam ardhur më 06.12.2022, kur kam ardhur unë, ajo nuk ka qenë fare në projekt, sepse unë e kam shpallë tenderin menjëherë në janar, ka qenë vetëm ky projekti që është tash. Unë e kam me të ndime që ka qenë diçka e planifikune më herët…”- thot Mujka.
Në bisedë me të, Mujka nuk tregon nëse ai e ka rimenduar projektin dhe investimin e paraparë në Mihaliq.
Në anën tjetër, Jonuz Kabashi i cili ishte ushtrues i detyrës së kryeshefit të Ibër- Lepencit në kohën kur u anulua projekti, është i bindur se investimet duhet të ndodhin në ndonjë vend tjetër të Kosovës.
Ai mendon se diga tjetër duhet të ndërtohet në lumin e Lepencit, në afërsi të Ferizajt dhe kjo do të garantonte ujë të sigurtë për zonën. Mirëpo, të dhënat tregonë se në mandatin e qeverisë Kurti nuk ka investime për digën e Lepencit.
Për të sqaruar situatën, me datë 30.11.2024, KALLXO.com ka kërkuar edhe sqarime nga qeveria e Kosovës, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, qeveria nuk ka dhënë ndonjë qëndrim se cili është vizioni që qeveria e përkrahë, për të garantuar pavarësi në furnizimin me ujë të pijshëm dhe ujë industrial për zonën e Kosovës qëndrore.