Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas të martën pasdite ka takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kallas, pas takimeve tha se rruga e vetme për anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë në bllok është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit.
Kallas e cila mori detyrën e re pak ditë më parë tha se autorët e sulmit të fundit terrorist duhet të përballen me drejtësinë, shkruan gazeta online Reporteri.net/
“E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi zonja Kallas në platformën e medieve sociale X, duke iu referuar shpërthimit të së premtes në kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.
Pas takimit, Kryeministri Albin Kurti tha se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.
“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, tha Kurti pas takimit.
Kurti tha se ka kërkuar nga strukturat e reja të Komisionit Evropian që të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, të arritur vitin e kaluar dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu.
Ai shtoi se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe tha se ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
E gjatë vizitës në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e sapozgjedhur të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Kurti, në takim me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë thirrje që të hiqen sa më parë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Po ashtu Kurti ka njoftuar Costan për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa ka theksuar rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të Milan Radoiçiqit.
“Kryeministri Kurti theksoi dhe nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës. Më tej, kryeministri foli dhe rreth situatës së sigurisë dhe sulmeve të fundit. Ai e informoi Presidentin Costa mbi sulmin kinetik terrorist të së premtes së 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe qëllimin e këtij sulmi për të dëmtuar prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin e ujit, nga i cili më shumë se gjysma e popullsisë do të mbetej pa energji elektrike dhe ujë. Ai theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
E në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se e ka uruar Costan për detyrën e re dhe i ka ofruar bashkëpunim të ngushtë.
“Në Bruksel pata kënaqësinë që të takoj dhe të bashkëbisedoj me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, i cili sonte është gjithashtu nikoqir i darkës me liderë të Ballkanit Perëndimor. Kosova është e përgatitur dhe e përkushtuar që të përparojë në rrugën drejt BE-së. Duke e uruar për detyrën e re dhe suksese të shumta gjatë angazhimit të tij, i ofrova bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, gjersa vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket”, ka shkruar Kurti.