Kryeministri i vendit, Albin Kurti u shfaq në një konferencë për shtyp orët e vona të së premtes, pas shpërthimit të kanalit të Ibër Lepencit në Zubin Potok.
Kurti tha se kjo konferencë erdhi si pasojë e “sulmeve të fundit të rënda, kriminale, terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”.
Siç tha Kurti, ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike dhe ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë.
“Pra një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. Policia jonë tashmë është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht, sipas edhe lajmërimeve e njoftimeve nga Kompania Regjionale e Ujësjellësit Mitrovica. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi, dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, tha Kurti.
Për këtë, kreu i ekzekutimit e ka bërë fajtor Beogradin zyrtar, i cili tha se strukturat e tyre kriminale me në krye Millan Radojçiqin, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Për bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë dhe fajësinë, për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveçse Beogradit zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Millan Radojçiqin, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai u ndalua për t’u liruar dhe tash është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare e kriminale atje, kriminelët e paqes e kriminelët e luftës që e urrejnë Republikën tonë dhe popullin tonë mbarë”, tha tutje Kurti.
Kurti ka falënderuar partnerët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre ndaj vendit tonë, teksa pas konferencës deklaroi se do ta takojë edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Barduani, ku do të mbahet një mbledhje të jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kurti goditi edhe mediat, i cili tha se shumë portale janë bërë pjesë të një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar mbarë.
“Në fund ju bëj thirrje qytetarëve që të refuzojnë të informohen nga disa portale që ata i njohin shumë mirë, e që fatkeqësisht ndonjëra më shumë e ndonjëra më pak janë bërë pjesë të një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar mbarë. Është e domosdoshme që të refuzojnë qytetarët e vendit tonë të mendojnë si disa opinionistë e disa opozitarë, të cilët i gëzohen, dikush në mënyrë direkte e dikush në mënyrë indirekte, asaj çfarë ndodhi sonte. Pra duhet ta mbrojmë vendin tonë dhe kjo bëhet duke e dashur vendin tonë dhe kjo bëhet duke refuzuar të dezinformohemi e të keqinterpretojmë çfarëdo që ka ndodhur sonte dhe e rrezikon apo e kërcënon vendin tonë”, u shpreh ai.