Suedia ka lëshuar licenca për të vrarë 20% të arinjve të saj të murrmë, në gjuetinë vjetore të ariut, e cila fillon të mërkurën, pavarësisht shqetësimeve nga konservatorët.
Zyrtarët kanë dhënë licenca për vrasjen e rreth 500 arinjve të murrmë. Ata do të vriten nga gjuetarët. Kjo është e barabartë me rreth 20% të nivelit të përgjithshëm, sipas shifrave zyrtare, dhe do të ulte numrin e arinjve në Suedi në afërsisht 2000, një rënie prej gati 40% që nga viti 2008, raporton The Guardian.
Numri i lartë i licencave të lëshuara ka alarmuar konservatorët, të cilët thonë se popullata të mëdha grabitqarësh në Evropë mund të përballen me kolaps në disa vende, pa mbrojtjen e duhur.
“Menaxhimi i kafshëve të egra në Suedi ka të bëjë me vrasjen e kafshëve, në vend që t’i ruajmë ato në mënyrën më të mirë”, ka deklaruar Magnus Orrebrant, kryetar i Shoqatës Suedeze të Mishngrënësve.
Arinjtë e murrmë ishin në prag të zhdukjes në Suedi në vitet 1920, por falë menaxhimit të kujdesshëm, popullsia u rikuperua, duke shkuar në 3,300 në vitin 2008.
Megjithatë, gjatë pesë vjetëve të fundit, një numër në rritje arinjsh janë gjuajtur, duke kulmuar në një rekord prej 722 të vrarë vetëm vitin e kaluar.
Këtë vit janë lëshuar licenca për të gjuajtur 486 arinj dhe një numër tjetër i papërcaktuar mund të gjuhet ku arinjtë vlerësohen si kërcënim për kafshët e fermës.
Arinjtë e murrmë janë “specie e mbrojtur rreptësisht” në Evropë dhe konservatorët argumentojnë se kuotat e larta të gjuetisë janë në kundërshtim me direktivën e BE-së për habitat, e cila thotë se “gjuetia e qëllimshme ose vrasja e specieve rreptësisht të mbrojtura është e ndaluar”.
Sipas rregullave të BE-së, ky ndalim mund të hiqet nëse është e nevojshme mbrojtja e sigurisë publike, të korrave ose florës dhe faunës.
Konservatorët argumentojnë se një tufë më e madhe e arinjve do ta bënte Suedinë një destinacion më tërheqës për turizmin ekologjik, i cili do të sillte më shumë të ardhura sesa shitja e licencave të gjuetisë.