Suedia nuk do të intimidohet nga “provokimet” dhe kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin ndaj Perëndimit dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, deklaroi të premten ministri suedez i mbrojtjes, Pal Jonson, raporton AFP.
“Shkallëzimi dhe provokimet e fundit nga Rusia janë një përpjekje për të na trembur që të mos mbështesim Ukrainën, por kjo përpjekje do të dështojë. Rusia nuk do të jetë në gjendje të na ndalojë të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën,” deklaroi ministri Pal Jonson gjatë një konference për shtyp me homologun e tij ukrainas, Rustem Umerov.
Mbështetja për Ukrainën “është një investim në sigurinë tonë, sepse siguria juaj është edhe e jona,” shtoi ai.
Pas lëshimit nga Rusia të një rakete të re balistike në Ukrainë, Putin deklaroi të enjten se përgjegjësia për përshkallëzimin e konfliktit bie mbi Perëndimin. Ai tha se lufta në Ukrainë ka marrë tani një “karakter global” dhe kërcënoi se do të godasë vendet aleate të Kievit.
Duke mbështetur të drejtën e Ukrainës “për t’u mbrojtur brenda dhe jashtë territorit të saj,” Jonson njoftoi se Suedia është e gatshme të financojë “në mënyrë të konsiderueshme” blerjen e raketave dhe dronëve me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën.
“Ne do të mbështesim industrinë e mbrojtjes së Ukrainës duke financuar blerjen e këtyre raketave dhe dronëve me rreze të gjatë veprimi,” tha ai.
Pal Jonson nuk specifikoi vlerën e këtij investimi, duke iu referuar njoftimit për programin e 18-të të ndihmës së Suedisë për Ukrainën, i cili do të zbulohet në janar.
Suedia hoqi dorë nga dekadat e saj të mos-angazhimit ushtarak dhe iu bashkua NATO-s në mars të këtij viti, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.