Kuvendi i ardhshëm i Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, mund të mbushet me deputetë që janë të dënuar me kusht.
Kjo do të bëhet e mundur falë një ndryshimi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2023, që ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë kushtet që i duhen një kandidati për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, shkruan Demokracia.com.
Edhe nëse një person është i dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, ai ose ajo do të mund të certifikohet si kandidat nëse nuk është i dënuar edhe me burgim efekiv me së paku një ose më shumë vjet burgim efektiv.
Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse “është i dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”.
Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2008, kandidimi në zgjedhje ishte një proces më i vështirë. Sipas ligjit të kaluar, i cili tashmë është shfuqizuar, një person nuk mund të certifikohej nëse vetëm ishte i dënuar me vendim të formës së prerë. “Cilido person emri i të cilit paraqitet në Listën e Votuesve është i aftë për certifikim si kandidat përveç nëse ai apo ajo është: i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”, thuhej në nenin 29. / Demokracia.com/