Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë folur sot në konferencën e përjavshme për media edhe për masat që tash e një kohë i janë vendosur Kosovës. Stano ka theksuar se nëse shtetet anëtare vendosin që t’ia heqin Kosovës këto masa, atëherë edhe do të bëjnë njoftimin.
Stano poashtu ka përmendur këtu edhe mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit, e cila siç tha ai duhet të bëhet përmes dialogut.
Ai tha se qëndrimi i BE-së është se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialgout duhet të zbatohen.
“Nëse shtetet anëtare vendosin të heqin masat në një mënyrë ose në një tjetër, ne do të bëjmë një njoftim të duhur se kur do të bëhet kjo”, tha zëdhënësi i BE-së.
“Ne kurrë nuk spekulojmë për skenarë negativë. Qëndrimi ynë i përgjithshëm është se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen. Ky është një detyrim i kahershëm për të dyja palët. Dhe çfarëdo hapash dhe veprimesh që do të ndërmerren që kanë ndikim në njërën ose tjetrën anë duhet të zgjidhen, diskutohen dhe çohen përpara në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-“, tha Stano.
“Përsëris, unë mund të kujtoj vetëm se rihapja e urës është një çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog”, shtoi tutje ai.
Për hapjen e Urës së Ibrit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javë më parë tha se ajo s’është kundër askujt, por për të gjithë qytetarët. Madje ai për këtë kishte pasur edhe një takim me vendet e QUINT-it, me të cilët kishte biseduar për këtë çështje.
“Është marrëveshje e para shumë vjeteve në Bruksel, nga dekada e kaluar. Ne e dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe liria e lëvizjes. Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër nuk është kundër askujt, por është për qytetarët. I ndihmon njerëzit në të dy anët gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin. Janë edhe tri ura tjetra, e të ngelet vetëm kjo mbyllur për vetura s’më duket në rregull. Edhe kjo urë do duhej të jetë e hapur, madje para shumë viteve në njërën prej marrëveshjeve të Brukselit, hapja e plotë e urës është quajtur simbol i normalizimit, pra është përdorur nga vetë Bashkimi Evropian, në vitet 2014-2017. Kundër askujt, por për të gjithë”, kishte deklaruar Kurti.