Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, pritet të takohen sot në Bruksel për të diskutuar për çështjen e dinarit.
Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur optimist për finalizimin e zgjidhjes rreth ndikimit të zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore, në mesin e komunitetit serb.
Ky është takimi i shtatë me radhë për këtë çështje.
“Do të jem nikoqir i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për diskutime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme dhe të qëndrueshme për ata që preken nga Rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Jam i sigurt se një marrëveshje mund të arrihet, por do të kërkoj fleksibilitet dhe kompromis nga të dyja palët”, ka njoftuar Lajçaku.
Të dielën e javës që shkoj ka skaduar plani i aprovuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për periudhën transitore për dinarin.
BQK-ja nuk ka dhënë sqarime se si do të funksionojnë mekanizmat ndëshkues që ndërlidhen me pagesën me dinarë.
Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme nuk parasheh masa ndëshkuese që ushtrohen prej BQK-së, derisa nuk është raportuar për ndonjë zhvillim sa u përket gjobave apo masave administrative lidhur me përdorimin e dinarit.
Në BQK kanë thënë se janë organet e tjera ekzekutive që merren me një gjë të tillë, përfshirë Administratën Tatimore, Doganën e Policinë e Kosovës.
E në Qeveri nuk kanë treguar se çka do të ndodhë tani e tutje që plani i BQK-së ka skaduar.
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për televizionin publik ka thënë se BQK-ja e ka sqaruar tashmë se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi.