Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë sot aktgjykimin për rastin e vrasjes së politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, kundër pesë personave që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për ndihmë dhe organizim të atentatit.
Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Të akuzuar janë Nedelko Spasojeviq, ish-polic; Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut; Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit; Dragisha Markoviq, ish-polic, dhe Zharko Jovanoviq, ish-polic.
Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm dhe, gjithashtu, janë mbrojtur në liri.
Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur është vrarë Ivanoviq, është liruar nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal, që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen.
Prokuroria Speciale ka thënë se ndjekja penale e Basarës është ndërprerë, për shkak të mungesës së provave.
Seancat në rastin e vrasjes së Ivanoviqit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk janë paraqitur, ndërsa disa dëshmitarë – nën mbrojtjen e anonimitetit – kanë refuzuar të japin deklarata, duke thënë se nuk ndihen të sigurt.
Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, Prokuroria përfshin edhe Zhelko Bojiqin, ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, dhe Zvonko Vesellinoviqin, biznesmen nga veriu i Kosovës.
Por, kundër tyre nuk është ngritur ndonjë akuzë në Kosovë, për shkak se janë në arrati.
Në aktakuzë, Radoiçiq dhe Vesellinoviq përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili ka planifikuar vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
Përndryshe, Radoiçiq, pak muaj para vrasjes së Ivanoviqit, është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë.
Ai ka dhënë dorëheqje nga partia në shtator të vitit 2023, kur ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Në këtë sulm ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Vrasësi dhe organizatori nuk dihen
Shpallja e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të bëhet pas një procesi katërvjeçar gjyqësor.
Në vitin 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën e tretë të plotësuar, pasi e para është ngritur në nëntor të vitit 2019, ndërsa në dhjetor të po atij viti është ngritur edhe aktakuza e dytë e ndryshuar.
Megjithatë, në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, përkatësisht janë përmendur vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo edhe autori apo organizatori i vrasjes.
Ndërkohë, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Prokuroria Speciale ka ngritur edhe një aktakuzë kundër një personi me inicialet M.M., për shkak të dyshimit se ai ka qenë edhe anëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, por edhe për shkak të “pengimit të procesit gjyqësor”, “kanosjes” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Disa media në Kosovë e kanë identifikuar atë si Millan Mihajlloviq nga Leposaviqi, me pseudonimin “Pop”, i cili, pas disa muajsh në paraburgim, ka dalë nga burgu për t’u mbrojtur në liri.
Vëllai i Oliverit, Mirosllav Ivanoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në përvjetorin e gjashtë të vrasjes së tij, se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes do të mund të gjejnë qetësi vetëm kur të gjenden vrasësi dhe organizatori dhe të ndëshkohen.
Deri ku ka arritur procesi në Serbi?
Serbia ka nisur hetime të veçanta në ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, më 16 janar 2018.
Më shumë se gjashtë vjet më vonë, procesi është ende në “fazën para-hetimore”.
Zyrtarë të lartë serbë, përfshirë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë shpesh në publik se e dinë se kush e ka vratë Ivanoviqin dhe kanë dalë në mbrojtje të Radoiçiqit.
Në qershor të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme i Serbisë, Bratisllav Gashiq, aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka thënë se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin dhe se policia serbe po e kërkon atë person nga autoritetet gjermane, “nën mbrojtjen e të cilave është”.
Gashiq ka qenë, gjithashtu, kreu i Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA).
Pasi Gjermania ka mohuar se mbron vrasësin e Ivanoviqit, Gashiq ka thënë se deklarata e tij është keqinterpretuar, përkatësisht është transmetuar pa pikëpyetjen, që do t’i kishte dhënë kuptim tjetër.
Në përvjetorin e tretë të vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2021, Vuçiq ka thënë se shërbimet serbe, prej muajsh, kanë një pasqyrë të plotë të atyre që mund të kenë pasur motiv për vrasjen dhe mund të kenë qenë të përfshirë.
Në mes të vitit 2019, ai ka deklaruar se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”. Duke iu drejtuar publikut, ai ka thënë se Millan Radoiçiq “nuk ka lidhje me këtë krim”.
Oliver Ivanoviq ka qenë udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Liria Demokraci, Drejtësia” kur është vrarë.
Në fillim të vitit 2014, ai ka qenë edhe një nga kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut, kur është ndaluar nën dyshimet se ka kryer krime lufte.
Në shkurt të vitit 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës ka urdhëruar një rigjykim të Ivanoviqit, pasi, në vitin 2016, është dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte kundër civilëve të Kosovës, në vitet 1999 dhe 2000.
Rigjykimi ka filluar më 24 mars të vitit 2017 dhe, më 21 prill, atij i është hequr arresti shtëpiak dhe i është lejuar të mbrohej në liri.