7 Marsi, njihet si festa e Mësuesit, dhe festohet në të gjitha shkollat dhe universitetet.
Është një ditë simbolike për të kujtuar e vlerësuar mësuesit për përkushtimin e tyre në mësimdhënie dhe në përgatitjen e brezave të ardhshëm.
Zanafilla e kësaj dite përkon me hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, e cila u hap në Mars të vitit 1887 në Korçë, pikërisht në një kohë kur shqiptarët mësonin shqip fshehurazi në shtëpitë e tyre, për shkak të sundimit Osman.
Mësonjëtorja e Korçës ka qëndruar e hapur për të paktën 20 vite dhe drejtues të tij ishin figurat e shquara të Rilindjes shqiptare si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami e të tjerë.
Festa e 7 Marsit, u përforcua më shumë gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte dita më e shënuar për mësuesit. Ishte një traditë e bukur, kur nxënësit zgjidhnin përfaqësuesit e tyre më të mirë, të cilët shkonin për vizitë në shtëpinë e mësuesit. Mësuesi i priste me gjithë të mirat, me ëmbëlsira e fruta, ndërsa dhuratat e nxënësve ishin shumë simbolike: lule ose libër./