Zhbllokimi i CEFTA-s, e shmangi largimin e mundshëm të Kosovës nga Procesi i Berlinit, të vetmes platformë evropiane, ku Kosova prezantohet krejtësisht e barabartë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit ka ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e saj.
E nesër në kryeqendrën gjermane do mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit, ku Kosovën do e përfaqësoj kryeministri Albin Kurti.
Do jetë ky samit ku do shënohet dhjetëvjetori i themelimit të kësaj nisme diplomatike, kumbare e të së cilës ishte kancelarja e atëhershme Angela Merkel.
I themeluar në vitin 2014, Procesi i Berlinit ka për qëllim që të nxitë bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe integrimin në BE ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes ekonomike, politike dhe infrastrukturore.
Në kuadër të procesit të Berlinit, deri më tani janë nënshkruar rreth 15 marrëveshje, që mbulojnë aspekte të ndryshme siç janë tregtia, lëvizja e lire, transformimi digjital, bashkëpunimi në infrastrukturë dhe energji.
Marrëveshjet zakonisht nënshkruhen në nivel të liderëve, të cilët në kuadër të kësaj iniciative takohen një herë në vit.