Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë, për trenin ruso-serb që po udhëtonte drejt Mitrovicës me sloganet “Kosova është Serbi”, e i cili më pas u ndalua nga autoritetet e vendit tonë, thoshte se kjo ishte lojë e ish-presidentit, Hashim Thaçi bashkë me Aleksandar Vuçiqin.
Ndërkaq, në pushtet ai kërkon unitet politik dhe mbarë qytetarë për aktet kriminale app incidentet e dyshuara të shkaktuara nga Beogradi.
Të premten në mbrëmje, pas aktit të rëndë të dëmtimit të një pjese të kanalit kryesor të Ibër-Lepencit, kryeministri bëri thirrje për unitet.
Në një konferencë për media, Kurti i sulmoi rëndë mediat.
“Në fund ju bëj thirrje qytetarëve që të refuzojnë të informohen nga disa portale që ata i njohin shumë mirë, e që fatkeqësisht ndonjëra më shumë e ndonjëra më pak janë bërë pjesë të një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar mbarë. Është e domosdoshme që të refuzojnë qytetarët e vendit tonë të mendojnë si disa opinionistë e disa opozitarë, të cilët i gëzohen, dikush në mënyrë direkte e dikush në mënyrë indirekte, asaj çfarë ndodhi sonte”, tha Kurti.
“Pra duhet ta mbrojmë vendin tonë dhe kjo bëhet duke e dashur vendin tonë dhe kjo bëhet duke refuzuar të dezinformohemi e të keqinterpretojmë çfarëdo që ka ndodhur sonte dhe e rrezikon apo e kërcënon vendin tonë”.
“Le të jemi bashkë me institucionet e shtetit, me policinë tonë, me organet tona zyrtare të cilat do të na njoftojnë në kohë reale për gjithçka”, tha Kurti.
Por, shtatë vjet më parë kur autoritetet në Kosovë ndaluan trenin që po udhëtonte nga Serbia drejt Mitrovicës, gjatë kohës sa president ishte Hashim Thaçi e kryeministër Isa Mustafa, Kurti i kishte cilësuar veprimet që e ndaluan trenin ruso-serb si “lojë” politike.
Kryetari i Qeverisë madje pati deklaruar edhe se Thaçi ishte koordinuar me Vuçiqin për këtë.
Kurti gjatë asaj kohe kishte thënë se kjo është “lojë” që po e luan Thaçi për t’i zhvendosur negociatat Serbi-Kosovë në nivel presidentësh, në mënyrë që të jetë më dorëlirë për t’i mbyllur “koncesionet” për Trepçën dhe “Zajednicën”.