Unaza e Madhe e Tiranës me një gjatësi totale 28.7 kilometra, pritet të çlirojë kryeqytetin nga trafiku i rënduar. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë.
Ditën e sotme hapet tërësisht për qarkullim Unaza e Madhe e Tiranës, e cila pritet të çlirojë kryeqytetin nga trafiku i rënduar. Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale 28.7 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë.
Kryeministri Rama ka ndarë në Facebook një video me punimet e fundit në Unazën e Madhe.
“Mirëmëngjesi dhe me punimet e fundit në kantierin e unazës së madhe pak orë para hapjes së madhe, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Kjo unazë do të jetë në shërbim të të gjithë automjeteve, të cilat aksesojnë Tiranën nga të gjitha hyrjet jashtë qytetit, si nga Rruga e Arbrit, ashtu edhe nga rruga Tiranë-Elbasan apo Tiranë-Durrës.
Unaza e Madhe e Tiranës, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët do të ketë gjithashtu hapësira të dedikuara.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, Unaza do te kishte përfunduar më shpejt, por një sërë faktorësh i penguan punimet. Aktualisht, në terren po punohet për detajet e fundit të projektit, duke përfshirë sinjalistikën dhe të tjerë elementë të sigurisë rrugore.