Më në fund librazhdasit kanë përfunduar pushimet dhe kanë nisur nga puna për sezonin e ardhshëm. Nën drejtimin e teknikut Besnik Kola, sopotarët kanë zhvilluar dje seancën e parë stërvitore, edhe pse të paktë në numër. Disa janë larguar dhe disa të tjerë janë prezantuar si afrime të reja mjaft cilësore.
Për portën është gjetur akordi me elbasanasin Argjend Hasfatija, i cili sezonin e shkuar ka qenë pjesë e Shkumbinit. Në mbrojtje është gjetur një element cilësor që ka qenë pjesë e ekipit të Elbasanit sezonin e shkuar, Klajdi Broshka. Nga peqinasit është “peshkuar” edhe mesfushorin Mikel Ferhati, me të cilin është arritur akordi për një sezon me fanellën sopotare.
Po ashtu është zyrtarizuar nga drejtuesit edhe rikthimi i dy ish- mesfushorëve, tiranasit Kevin Myslimi dhe elbasanasit Denis Mici. Ky i fundit mendohet të jetë dhe goditja më e fortë në kampin librazhdas, pasi për disa sezone ka qenë golashënuesi kryesor i ekipit. Ndërsa merkatoja ka vazhduar edhe me të huajt. Drejtuesit mendojnë se është bërë bingo me afrimin e dy nigerianëve Abdoul Rashid dhe Faysal Abdolaye Seyni.
Të tjera konfirmime priten ditët në vijim, teksa ekipi këto javë do jetë në fazën e krijimit. Objektivi edhe për këtë sezon i librazhdasve do të jetë ngjitja në Kategorinë e Parë.