LSDM-ja nuk mund të mbetet vëzhgues i heshtur dhe duhet të thonë nëse edhe ata presin që BDI-ja ta destabilizojë vendin – thonë nga VMRO-DPMNE-ja duke pohuar se pasi Mickoski ua zbuloi planin, tani po rigrupohen dhe paralajmërojnë protesta.
“LSDM dhe BDI kanë një qëllim, që funksionarët e tyre të korruptuar të mos përgjigjen për krimin dhe grabitjen e shtetit. Shtatë vite LSDM-BDI vodhën shtetin dhe për këtë do të ketë përgjegjësi. Nuk do t`i shpëtojnë skenarët e zinj” – thonë nga VMRO-DPMNE.
Por, socialdemokratët thonë se me skenaret e destabilizimit, VMRO-DPMNE-ja mashtron opinionin, sic thonë, për të fshehur punën katastrofale.
Gjatë një prononcimi televiziv, ish-Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, thotë se kjo situatë I ngjan vitit 2017, kur në kohën e Qeverisë Gruevski u krijoheshin kriza të këtilla në baza etnike.
“Nëse ka indikacione menjëherë duhet të mblidhet Këshilli për Siguri dhe Shërbimet e Intelegjencës, por fillimisht duhet të kyçet Prokuroria Publike, që të ndërmerren masa që mos vijë deri tek kjo situatë që cënon integritetin territorial, sovranitetin dhe paqën. Nëse nuk ndërmerren masa, nuk është asgjë tjetër vetëm politikë ditore, me të cilën shqetësohen qytetarët, krijohet atmosferë jostabile për biznesin. Janë cështje serioze për të cilët duhet qasje burrështetasi” – tha Spasovski.
Nga ana tjetër, BDI-ja bëri thirrje që të ndalet “gjuetia e shtrigave” dhe defokusimi politik. Nuk kanë përjashtuar mundësinë për organizimin e protestave, por vetëm si shprehje e vullnetit politik të qytetarëve.
Tema e destabilizimit u hap nga Kryeministri Mickoski gjatë festës së Ilindenit, kurse gjatë vizitës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, akuzoi BDI-në për plane që paraqesin kërcënim për paqën dhe stabilitetin e vendit.
Paralajmërimet e këtilla nuk shkaktuan masa të sigurisë, nuk u thirr Këshilli për Siguri, kurse Kryeministri Mickoski shfrytëzon pushimet.
Ndërkaq, deri më tani, as përfaqësitë diplomatike në vend nuk i kanë komentuar deklaratat e kryeministrit, Mickoski i cili paralajmëroi destabilizim të shtetit në vjeshtë.