Ndërhyrja e Qeverisë Kurti në organizimin e zgjedhjeve përmes MPJD-së ka nxitur reagime të ashpra në vend.
Kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve konsullore që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës për zgjedhjet nacionale, është vlerësuar si skandaloze.
Përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se kjo është një ndërhyrje antikushtetuese.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shosh, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme, ka thënë se kërkesa e MPJD-së për shefat e misioneve diplomatike është në kundërshtim me ligjin.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se kjo tregon se Qeveria Kurti e sheh mërgatën vetëm për vota.
“Mërgatën tonë kjo qeveri e do vetëm në fushatë, e do vetëm për vota dhe për shfrytëzim politik. Këtë e vërteton edhe skandali tjetër, i cili u zbuluar nga mediat për ndërhyrjen e MPJD-së në organizmin e zgjedhjeve nacionale. Krejtësisht në kundërshtim me ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kushtetutën e Republikës, kjo ministri ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve konsullore që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës për zgjedhjet nacionale”, ka thënë Musli-Shoshi.
Pas raportimit të Nacionales, ka reaguar edhe ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi.
Në rrjetin social “X”, ka shkruar se kjo është një ndërhyrje skandaloze antikushtetuese.
Sipas tij, vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të drejtën për të marrë vendime në lidhje me zgjedhjet.
“Qeveria e Kosovës urdhëron Ministrinë tonë të Jashtme që të kërkojë objekte alternative në vende të huaja për votimin e diasporës. Kjo është një ndërhyrje skandaloze antikushtetuese. Vetëm KQZ ka të drejtën kushtetuese për të marrë, financuar dhe ekzekutuar vendime në lidhje me zgjedhjet.”, ka shkruar Selimi.
Çka thuhet në kërkesën e MPJD-së?
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e posteve konsullore që të kërkojnë hapësira të reja për votim në vendet ku janë akredituar.
Kërkesa në fjalë udhëzon në detaje shefat e misioneve se si duhet të veprojnë në sigurimin e këtyre hapësirave.
“Me qëllim të përmbushjes së obligimit ligjor të MPJD-së, lidhur me organizimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, kërkojmë nga ju që me prioritet të kërkoni nga autoriteti komunal\rrethi konsull\operator, informacion mbi mundësitë e ofrimit të hapësirave publike ose publiko/private, me apo pa pagesë, me qëllim të realizimit të procesit zgjedhor përmes votimit fizik, nën kontraktimin dhe shfrytëzimin e përfaqësive diplomatike apo posteve konsullore”, thuhet në kërkesën e MPJD-së për misionet diplomatike, të cilën e ka siguruar Nacionale.
Aty specifikohet, se shefat e misioneve diplomatike mund të marrin në shfrytëzim qendra sportive, salla dhe objekte tjera për ditën e votimit.
“Nga autoritet\operatori duhet kërkuar ofrimi i objekteve si: qendra sportive, kulturore, salla, galeri, apo tjetër, të cilat janë të përshtatshme të shfrytëzohen për organizimin e votimit fizik, gjatë ditës së zgjedhjeve, më datë 7 dhe 8 shkurt 2024. Objekti duhet të ketë hapësirë ose dhoma shfrytëzimi”, thuhet në kërkesë.
Në fund të kërkesës, kërkohet që misionet diplomatike të gjitha informacionet lidhur më marrjen e këtyre objekteve të dërgohen në MPJD deri me datën 29 tetor.