Skandali para ndeshjes Partizani-Egnatia, klubi i kuq nuk lejon gazetarin e “Panorama Sport” as me biletë
Klubi i Partizanit vendosi dje të marrë hapa të tjerë qesharakë pas asaj komunikate që bëri para ndeshjes kundër Egnatias, teksa shpallte si të padëshiruar gazetarin e “Panorama Sport”, Denis Lala.
Ky i fundit nuk u lejua të ndiqte dje në ambientet e stadiumit “Arena e Demave” ndeshjen e vlefshme për Superioren, Partizani-Egnatia. Kjo ngjarje merr përmasat e një skandali, pasi gazetari jo vetëm që nuk u akreditua qëllimisht nga klubi për të qenë në sektorin e medias, por nuk u lejua as të futej në stadium, edhe pasi ishte pajisur me biletë në tribunën qendrore.
Një foto e tij i ishte shpërndarë kontrollorëve të biletave në çdo cep të stadiumit, si të ishte një person me rrezikshmëri të lartë. Diçka e paprecedentë! Natyrisht, klubi i Partizanit është në të drejtën e vet që t’i investojë energjitë për të tilla situata dhe të pengojë një gazetar të hyjë në stadium për të kryer detyrën.
Askush nuk i ndalon drejtorët e shumtë që punojnë në klubin legjendë të futbollit shqiptar për t’u bërë qesharakë! Një gjë është e sigurt, që kjo as e pengon gazetën të thotë të vërtetën, as i bën nder një prej klubeve më të rëndësishme që të ulet në këtë nivel. Partizani është aset kombëtar dhe kritikat janë pjesë e dështimit dhe suksesit të tij. Janë të pashmangshme! Gazeta “Panorama Sport”, për fat të keq nuk e ka herën e parë që përballet me situata të tilla komike.
Edhe klube të tjera kanë tentuar të intimidojnë në të kaluarën apo të diktojnë lajmet sipas interesit, por gazeta ka vazhduar të shkruajë realitetin për lexuesit e përditshëm. Të paktën, edhe vetë presidenti Gazment Demi kupton se çfarë ndodh me klubin e tij, pasi sheh edhe ndonjë të vërtetë tjetër, krahas atyre që ia servirin drejtorët e klubit.
Këta të fundit nuk morën kurrë përgjegjësi se përse me investimet ndër vite prej dhjetëra milionë euro të Demit, Partizani nuk shkoi dot në fazën e grupeve të një kompeticioni si Liga e Konferencës! Sigurisht, gazeta do të ketë durim dhe do të bëjë punën që i takon. Koha do të gjykojë nëse Partizanit ia ka fajin “Panorama Sport” që shkruan të vërtetën apo problemi është nga brenda, i atyre që nuk kanë si justifikojnë ekzistencën në klubin 17 herë kampion të Shqipërisë.