Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me betimin e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska, e cila gjatë betimit të sotëm e quajti vendin “Maqedoni”, edhe pse në tekstin e betimit, të cilin e lexoi kryetari i Kuvendit në largim Jovan Mitreski, i bëri thirrje që vendit t’i referohej si “Maqedonia e Veriut”.
Përmes një deklaratë zyrtare, ministria greke thekson se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj me Maqedoninë e Veriut si dhe rruga evropiane e kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit.
“Gjatë betimit të saj sot në Kuvend dhe përkundër faktit se në tekstin zyrtar të betimit që i diktohej vendi përmendej si “Maqedonia e Veriut”, presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Znj. Silianovska-Davkova zgjodhi ta quajë vendin e saj “Maqedoni”.
Ky akt shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Prespës si dhe Kushtetutën e shtetit fqinj, e cila është harmonizuar me detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, megjithë kundërshtimet që kishte shprehur si kundërshtim gjatë ratifikimit të marrëveshjes, e respektoi atë si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar që ka përparësi ndaj çdo dispozite tjetër të ligjit.
Greqia, në këtë kontekst, thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut si dhe kursi evropian i kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe mbi të gjitha nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit”,-thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme greke.