Nën masa të rrepta të sigurisë, tre terroristët e arrestuar në rastin “Banjska”: Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë futur në sallën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Seanca nisi së pari me propozimet e prokurorit të rastit, Naim Abazi, i cili prezantoi gjetjet e Prokurorisë Speciale, duke rekomanduar që rasti menjëherë të procedojë me gjykim.
Avokatët mbrojtës të të pandehurve kundërshtuan mbajtjen e seancës sot, nën pretekstin se nuk kanë marrë kopje fizike të dosjes, vetëm atë elektronike, shkruan IndeksOnline.
Të njëjtit pretendojnë se nuk u është dhënë kohë të përgatiten për seancë, sakaq nuk kanë pasur kohë as t’u prezantojnë aktakuzën klientëve të tyre.
Këtë arsyetim e cilësoi si të pabazuar në ligj avokati mbrojtës i familjes së Afrim Bunjakut, Arianit Koci. Ai tha se sa më shumë të vonohet drejtësia, aq më dëm i bëhet asaj.
Të pranishëm në seancë ishin edhe kolegë të Afrim Bunjakut, po ashtu pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri dhe Sedat Dushi, të cilët u mbrojtën si palë e dëmtuar.
Duke shqyrtuar propozimin e avokatëve të palëve të akuzuara, gjyqtari i rastit, Arben Hoti, e shtyu seancën për datën 9 tetor.
Gjykata Themelore në Prishtinë do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë.
Kështu bëri të ditur gjyqtari Arben Hoti, pas veçimit të procedurës ndaj tre të akuzuarve që gjenden nën masën e paraburgimit.
Paraprakisht, prokurori Naim Abazi propozoi që gjykimi të zhvillohet në mungesë, me arsyetimin se në dispozitat e aktakuzës është përfshirë “Vrasja e rëndë”, e që si vepër penale parashihet për gjykimin në mungesë.
Ndërkaq, edhe përfaqësuesi i familjes Bunjaku, avokati Koci, propozoi që të shikohet mundësia që gjykata t’i drejtohet Supremes për opinion për të vazhduar gjykimin në mungesë.
Njëherazi, u propozua edhe mundësia që rasti të gjykohet ndaras për secilin pjesëmarrës.
Mbi të pandehurit që ishin prezent rëndon vepra penale “Kryerje e veprave terroriste” ku në kuadër të saj është e përfshirë edhe vepra penale “Vrasje e rëndë”.