Më shumë se gjysma e gjermanëve, konkretisht 54%, kanë humbur durimin me koalicionin aktual qeveritar treshtresor dhe dëshirojnë zgjedhje të parakohshme, sipas një sondazhi të publikuar të enjten dhe cituar nga dpa.
Sipas sondazhit më të fundit ARD-DeutschlandTREND, vetëm 41% e gjermanëve janë që koalicioni qeveritar aktual i kancelarit Olaf Scholz — i përbërë nga socialdemokratët (SPD), të Gjelbrit dhe liberal-demokratët (FDP) — të vazhdojë deri në datën e caktuar të zgjedhjeve, 25 shtator 2025.
Pro zgjedhjeve të parakohshme u shprehën 93% e mbështetësve të Alternativës për Gjermaninë (AfD, ekstremi i djathtë) dhe 75% e mbështetësve të Aleancës Sahra Wagenknecht (BSW, e majta populiste).
Zgjedhjet e parakohshme shihen gjithashtu me favor edhe nga 69% e mbështetësve të bllokut konservator të opozitës, të përbërë nga kristian-demokratët (CDU) dhe kristian-socialët bavarezë (CSU).
Në përgjithësi, niveli i kënaqësisë me qeverinë federale është në rënie, sipas sondazhit, i cili është realizuar nga Infratest dimap në një kampion prej 1,333 personash me të drejtë vote, nga e hëna në të mërkurën.
Vetëm 14% e të anketuarve janë deklaruar të kënaqur ose shumë të kënaqur me aktivitetin e qeverisë, një rënie prej pesë pikë përqindjesh në krahasim me fillimin e muajit tetor.
Në të kundërt, përqindja e atyre që janë pak ose aspak të kënaqur është rritur me gjashtë pikë përqindjeje, duke arritur në 85%.
Sipas të njëjtit sondazh, mbështetja për CDU/CSU qëndron në 34% – me tre pikë përqindjeje më shumë se muajin e kaluar – që është më e larta ndër të gjitha partitë politike.
SPD mbetet në 16%, ndërsa AfD ruan nivelin 17%. Të Gjelbrit kanë humbur dy pikë përqindjeje, duke arritur në 11%, ndërsa BSW ka humbur gjithashtu dy pikë, duke zbritur në 6%.