Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një ndihmë prej 500 milionë dollarësh për Filipinet, njoftoi të enjten sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, i cili ndodhet në Manila për të riafirmuar mbështetjen e SHBA-së në kontekstin e ngritjes së Kinës në rajon, raporton AFP.
“Ne kemi alokuar tani një ndihmë shtesë prej 500 milionë dollarësh për Filipinet për të forcuar bashkëpunimin tonë në çështjet e sigurisë”, tha Blinken në një konferencë për shtyp.
Ky paketë ndihme, i cili synon të modernizojë forcat e armatosura dhe rojen bregdetare filipineze, është unik dhe vjen vetëm një herë në një gjeneratë, shtoi zyrtari amerikan.
Shuma është pjesë e një ndihme prej 2 miliardë dollarësh të votuar në prill nga Dhoma e Përfaqësuesve amerikane për territoret e rajonit.
Gjatë kësaj vizite, Antony Blinken dhe sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin u takuan të martën me presidentin filipinez Ferdinand Marcos, i cili kundërshton fort aktivitetet kineze në Detin e Kinës së Jugut.
Marcos deklaroi se ishte ”shumë i lumtur” për dialogun ekzistues midis SHBA-së dhe Filipineve.
“Ne jemi vërtet mirënjohës për këtë partneritet”, tha, nga ana tjetër, sekretari amerikan i shtetit.
Blinken dhe Austin më pas zhvilluan bisedime me homologët e tyre filipinezë, Enrique Manalo dhe Gilberto Teodoro, në kuadër të formatit “2+2”, me qëllim forcimin e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Manilës në fushën e mbrojtjes.
Është hera e parë që ky dialog zhvillohet në Filipine.
Vizita e Antony Blinken dhe Lloyd Austin në Manila ndjek atë të prillit të presidentit filipinez në Uashington. Me atë rast u mbajt samiti i parë tripalësh SHBA-Japoni-Filipine.
Në muajt e fundit janë shtuar incidentet midis Kinës dhe Filipineve, veçanërisht rreth atolit Second Thomas. Aty ndodhen ushtarë filipinezë në një anije ushtarake që është mbetur qëllimisht nga Manila në vitin 1999 për të afirmuar pretendimet e saj të sovranitetit.
Pavarësisht tensioneve, Pekini dhe Manila zhvilluan këtë muaj bisedime dhe arritën një “marrëveshje të përkohshme” për rimbushjen e trupave filipineze në këtë atol. SHBA-ja u kërkoi të dy palëve të respektojnë angazhimet e tyre.
Kina pretendon një pjesë të madhe të Detit të Kinës së Jugut, por edhe vende të tjera bregdetare (Filipinet, Vietnami, Brunei, Malajzia) gjithashtu kanë pretendime.
Kjo përballje Kinë-Filipine ushqen frikën për një konflikt potencial që mund të nxisë ndërhyrjen e Uashingtonit, i lidhur me Filipinet përmes një traktati reciprok të mbrojtjes që nga vitet ’50.