Sot bëhen shtatë vjet nga vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP), Oliver Ivanoviq. Ai u qëllua pas shpine me disa të shtëna me armë zjarri nga një veturë në lëvizje duke u lënë i vdekur para selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Ivanoviq ishte bartës i listës “Liria, Demokracia, Drejtësia – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të nëntorit 2017.
Lidhur me vrasjen e tij, më 23 nëntor 2018 në veri të Mitrovicës janë arrestuar katër të dyshuar. Në vitin 2022 nisi procesi gjyqësor ndaj personave të dyshuar se ishin pjesë e grupit kriminal që organizoi likudimin e Ivanoviqit.
Shpallja e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqi u bë pas një procesi katërvjeçar gjyqësor.
Në qershor të këtij viti Gjykata Themelore ka shpallur aktgjykimin, kundër pesë personave që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për ndihmë dhe organizim të atentatit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Katër të akuzuarit janë dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim.
Derisa ende nuk dihet autori apo organizatori i vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, katër të akuzuarit u dënuan për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi vrasjen e tij, dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Të akuzuarit Nedelko Spasojeviq, Gjykata i ka i shqiptuar dënim me burgim prej 4 vite e 6 muaj burgim, të cilit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak dhe dënim me gjobë prej 4 mijë e 500 euro.
Marko Roshiq është shpallur fajtor për veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit penal të organizuar dhe vrasje e rëndë dhe i është shqiptuar dënim me burgim prej 10 vjetësh, ku llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Gjykata këtij të akuzuari i shqiptoi edhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.
Të akuzuarit tjetër, Dragisha Markoviq për veprën penale në bashkëkryerje, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Gjykata i shqiptoi dënim me burgim prej 4 vitesh burgim.
Zharko Jovanoviq për veprën penale në bashkëkryerje, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar iu shqiptua dënim me burgim prej 4 vite. Po ashtu dënim me gjobë në shumë prej 1500 euro.
E akuzuara Silvana Arseniq është liruar nga akuza për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe veprën penale vrasje e rëndë dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Po ashtu edhe i akuzuari tjetër, Dragisha Markoviq është liruar nga akuza për veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare, shpallet fajtor për veprën penale në bashkëkryerje dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Dy javë pas shpalljes së aktgjykimit, u bë e ditur se Marko Roshiq, njëri nga të dënuarit për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq është arratisur.
Lidhur me arratisjen e tij, nga policia e Kosovës kishin konfirmuar Gazetën Online Reporteri.net, se kishte ndodhur një ditë pas shpalljes së vendimit të ekzekutimit të dënimit, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, nuk kishin hasur në të.
Ndaj tij është lëshuar urdhërarrest.
Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, Prokuroria përfshin edhe Zhelko Bojiqin, ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, dhe Zvonko Vesellinoviqin, biznesmen nga veriu i Kosovës.
Por, kundër tyre nuk është ngritur ndonjë akuzë në Kosovë, për shkak se janë në arrati.