Rënia e ndjeshme në sektorin e blegtorisë pasqyron zhvillimet social-ekonomike gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë për ulje të ndjeshme të numrit të bagëtive, kryesisht gjatë tre viteve të fundit. Kështu, numri i gjedhëve u pakësua me 65 mijë krerë, delet me 186 mijë, ndërsa numri i dhive u pakësua me 50 mijë krerë.
Drejtori i Programit të Mbështetjes së Zonave Rurale, Petrit Dobi, i tha Zërit të Amerikës se emigracioni ka patur një ndikim të thellë në sektorin e blegtorisë.
“Jo vetëm të dhënat statistikore, por të gjithë ne që punojmë në zonat rurale dhe që kemi kontakte me këto zona dhe barinjtë, e shikojmë këtë ndryshim. Është një ndryshim i madh, veçanërisht vitet e fundit duke filluar nga pandemia. Si duket, njerëzit kanë menduar seriozisht për të bërë një ndryshim në jetën e tyre dhe fakti që këto popullata në zonat e vështira për të jetuar nuk janë mbështetur, është një nga arsyet kryesore që popullsia ka lëvizur dhe ky aktivitet, blegtoria, po braktiset”, thotë ai.