Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me sulmin e 29 nëntorit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se Osmani përveç me O’Brien, ka zhvilluar biseda edhe me udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë edhe me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.
“Ajo [Osmani] i ka falënderuar për reagimin dhe dënimin e sulmit ndaj infrastrukturës vitale në Ibër-Lepenc. Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë”, tha Kupina.
Osmani, sikurse edhe udhëheqësit e tjerë në Kosovë e cilësojnë shpërthimin në Varragë të Zubin Potokut sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të vendit.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se është i përfshirë, duke thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për hetimin e këtij rasti.
Për situatën në veri, më herët gjatë 3 dhjetorit presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bisedoi me O’Brienin.
Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar ashpër sulmin në Zubin Potok, teksa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi një ditë më parë se pavarësisht se është ende herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.
“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”, ka deklaruar ai.