Shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë të re për të parashikuar se cilët lloje kanceri do të bëhen agresivë përpara se të përhapen – duke hapur rrugën për trajtime që mund të ndalojnë përparimin e sëmundjes.
Një studim i ri, i publikuar në revistën Nature Communications, tregon se si mjedisi i afërt ndihmon qelizat e kancerit të dalin nga tumori dhe të fillojnë përhapjen në trup.
Struktura e quajtur matriksi jashtëqelizor (ECM) e mban tumorin të bashkuar, duke vepruar si një skelet rreth një ndërtese në ndërtim, raporton agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Tani, shkencëtarët nga Instituti për Kërkime mbi Kancerin në Londër (ICR) dhe Instituti për Kancerin Barts në Universitetin Queen Mary në Londër kanë zbuluar se si qelizat e kancerit përdorin këtë strukturë si një “hartë rruge” për të dalë nga tumori dhe për t’u përhapur.
Ata kanë zbuluar se ECM-ja shkakton ndryshime brenda vetë qelizave të kancerit – duke ndryshuar formën e tyre dhe duke rritur aftësinë e tyre për t’u zhvendosur në pjesë të ndryshme të trupit.
Ky zbulim, rezultat i gati një dekade kërkimesh të nisura në King’s College në Londër, nënkupton se tumoret më agresive, të cilat ka gjasa të përhapen, tani mund të identifikohen më lehtë në faza të hershme.
Aktualisht, po zhvillohen ilaçe që synojnë strukturën e ECM-së, si dhe gjenet që shkaktojnë ndryshime në formën e qelizave.
Profesoresha Victoria Sanz Moreno, biologe e qelizave të kancerit dhe metastazave në ICR, e cila ka udhëhequr studimin, tha se “kërkimi ynë ka zbuluar planin e rrugës që ndjekin qelizat e kancerit për të dalë nga tumori, duke u lejuar atyre të krijojnë një tumor sekondar diku tjetër në trup”.
“Tani që e kuptojmë këtë hartë rruge, mund të synojmë aspekte të ndryshme të saj për të ndaluar përhapjen e kancereve agresivë. Fijet e strukturës rreth tumorit janë më të dendura dhe të vendosura si një shteg që ndjekin qelizat”, shtoi ajo “studimet e ardhshme duhet të shqyrtojnë mënyra për të synuar këtë strukturë, për të penguar qelizat e kancerit të ikin dhe të ndjekin atë rrugë. Gjithashtu, mund të zbulojmë se duke synuar këtë strukturë të dendur të fibrave, ilaçet e tjera mund të depërtojnë më lehtë tek qelizat e kancerit, gjë që mund të përmirësojë efektivitetin e trajtimeve”.
Ndërkohë, mjeku Oscar Maiques nga Instituti për Kancerin Barts shtoi se “ky studim është kulmi i gati një dekade kërkimesh për të kuptuar se si qelizat e kancerit ndërveprojnë me mjedisin e tyre, të njohur si matriksi jashtëqelizor. Është e rëndësishme që shohim se rajone të ndryshme të tumorit përmbajnë informacione të ndryshme për sjelljen e ardhshme të kancerit. Kur mjekët kryejnë biopsi të një tumori, kërkimi ynë tregon se ajo që ndodhet jashtë tumorit është po aq e rëndësishme sa ajo që ndodhet brenda – sepse aty gjenden informacione kyçe mbi mundësinë e përhapjes së kancerit”.
Studimi, i financuar nga Cancer Research UK dhe Barts Charity, analizoi indet e tumorit të 99 pacientëve me melanoma (një lloj kanceri të lëkurës) dhe kancer të gjirit.
Shkencëtarët zbuluan se ECM-ja kishte një renditje të ndryshme në tre zona të tumorit.
Në kufirin e jashtëm të tumorit, fijet e ECM-së ishin të orientuara jashtë, duke krijuar “gjurmë” që qelizat e kancerit mund të ndiqnin ndërsa shpëtonin.
Ata gjithashtu zbuluan ndryshime në llojin e gjeneve brenda qelizave, në varësi të vendndodhjes së tyre në tumor.
Në veçanti, prania më e lartë e gjeneve për enzimat që ndikojnë në ECM, me ekspresion të rritur, ishte e lidhur me një kohë më të shkurtër mbijetese te pacientët e studiuar.
Ky zbulim hap rrugë të reja për trajtimin e kancerit para se ai të përhapet, duke përfshirë ilaçet që synojnë enzimat si lizil oksidaza (LOX), të cilat tashmë janë në faza të avancuara të testimeve klinike.