Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e instrumentit balancues ka përplasur partitë politike në vend. Fronti Evropian e quan këtë vendim të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Koalicioni VLEN nga ana tjetër nuk duken shumë të shqetësuar, thonë se këtë instrument do ta zëvendësojnë me një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, shkruan Portalb.mk.
Arbër Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim e quan këtë vendim skandaloz dhe në kundërshtim me kushtetutën, thotë që tashmë do të biejnë poshtë kuotat për përfaqësim gjatë punësimit.
“Është një vendim skandaloz, puro politik dhe në kundërshtim me kushtetutën. Pra, Gjykata Kushtetuese në vend se të jetë gardian kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ata sjellin vendim të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën, me Marrëveshjen e Ohrit, me parimin e MO-së – përfaqësimin e drejtët dhe të barabartë. Që nga sot e tutje, me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, bien poshtë kuotat për përfaqësim gjatë punësimit. Pra, nga dita e sotme askush nuk do t’u kërkojë qytetarëve deklaratë për përkatësinë etnike. Pra nuk është vendim që ka të bëjë me shfuqizim e “balancuesit”, është shumë më shumë se aq”, tha Ademi nga BDI-ja.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp para Gjykatës Kushtetuese, në ora 20:30.
Koalicioni VLEN thotë se ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat që pritet të propozohet nga ata është në përpilim e sipër, thonë se me do të zëvendësohet instrumenti balancues dhe se do të garantohet përfaqësimi i shqiptarëve në administratë publike.
“Ne e kemi draftin e ligjit, është gati. Mundemi që ta propozojmë që sot, mirëpo duam që të kemi debat me njerëz profesional dhe ekspertë të fushës që t’i marrim parasysh vërrejtjet e tyre, të mos krijojmë huti sepse është ligj sensitiv dhe nuk duhet të ketë gabime, ky është qëllimi pse duhet të përfshihen ekspertë dhe më pas të dorëzojmë propozimin. Ne me këtë nuk synojmë të përfitojmë politikisht, por ta zgjidhim problemin” ka deklaruar Halil Snopçe, deputet i Koalicionit VLEN.
Përpos kësaj, funksionarë të VLEN vazhdimisht kanë kritikuar ashpër balancuesin. Arben Fetai, zëvendës kryeministër për qeverisje të mirë ka shkruar në ‘Fejsbuk’ se balancuesi ka qenë mashtrim i BDI-së dhe se nuk ka siguruar pjesëmarrje të shqiptarve në institucione të rëndësishme të sigurisë në vend.
“Mashtrimi i BDI-së tashmë është çveshur dhe shqiptarët e kanë kuptuar se nevojitet një instrument tjetër më efikas, i cili do të garantojë përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në institucione. VLEN është i përkushtuar për miratimin e një ligji të veçantë, i cili do të rregullojë çështjen e përfaqësimit të bashkësive dhe do të shmang keqpërdorimet e deritashme” shkruan Fetai në Fejsbuk.
Stefan Andonov, ministri i transformimit digjital tha që me ose pa balancues, qeveria do të mbetet e fokusuar tek përfaqësimi i drejtë. Sipas tij, aktualisht duhet të gjendet në zgjidhje më e mirë ligjore që do të garantonte këtë, pa pasur nevojë të manipulohet me sistemin.
“Përgjegjësinë për këtë pjesë e ka ministria e administës publike, shpresoj që në periudhën e ardhshme do të punohet për rregullimin juridik të vlerës themelore të kushtetutës që është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat për të gjithë përkatësitë etnike në Maqedoni, i rëndësishëm është ky parim themelor i Kushtetutës, duhet të respektohet por duhet të gjendet zgjidhje që ky parim themelor të mos jetë në përplasje siç ishte deri tani, me kualitetin dhe kompetencat dhe mashtrimin e sistemit që është shumë e rëndësishme” ka deklaruar Stefan Andonov, ministër i Transformimit Digjital.
Nga Lidhja Social Demokrate, LSDM, nuk kanë pasur reagim por që në të kaluarën janë shprehur se janë për shfuqizimin e balancuesit.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese sot me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit, sipas ish-kryetares të Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, zbatimi i dispozitave ligjore të kontestuara kërcënon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, shprehjen e lirë të përkatësisë kombëtare, përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e qeverisjes shtetërore dhe të institucioneve të tjera publike dhe të sundimit të ligjit të garantuar me dispozitat e Kushtetutës.