Në Shqipëri është shfaqur sërish murtaja afrikane e derrave. Ministria e Bujqësisë njofton se është identifikuar një vatër në Ishull-Lezhë. Sipas të dhënave të ndara nga ministria, më datë 25 dhjetor në fermë kanë ngordhur 8 derra, ndërsa më 26 dhjetor kanë ngordhur 7 të tjerë, që tashmë janë groposur.
Pas kampioneve dhe analizave në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka rezultuar se derrat ishin të prekur nga murtaja afrikane. Ferma është vënë në mbikëqyrje dhe me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë është ndaluar e shitja dhe tregtimit i derrave të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Bashkisë Lezhë.
Vatra e re ka qenë në zonën e survejancës 10 km me vatrën në malin e Rrencit, ku më 29 nëntor u identifikua një vatër me murtajën e derrave, por doli nga izolimi më 16 dhjetor pasi nuk ishte konstatuar asnjë rast i ri.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Bujqësisë
Në kuadër të transparencës publike, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon qytetarët se në datën 25 Dhjetor 2024, nga veterineri zyrtar i shërbimit për Njësinë Administrative Shëngjin, është konstatuar se në fshatin Ishull – Lezhë tek fermeri Vitor Zef Jushi me kod ferme AL091919860492, me 71 krerë derra ka patur ngordhje në 8 krerë. Në datën 26 Dhjetor 2024 Shërbimi Veterinar i Sektorit të Lezhës ka shkuar në fermë dhe ka konstatuar ngordhjen edhe të 7 krerëve të tjerë. Menjëherë është kryer groposoja e kafshëve të ngordhura, disinfektimi i mjedisit, si dhe janë marrë kampione zyrtare (karkasë dhe organe), të cilat u dërguan në ISUV me fletë shoqërimi për dyshim të sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave, sipas protokollit të përcaktuar.
Kampionet e dërguara nga kadavra të derrave të butë dhe të kryqëzuar, prej Shërbimit Veterinar Rajonal të Qarkut Lezhë, në Laboratorin e Referencës – Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në datën 26.12.2024, kanë rezultuar pozitive me testin konfirmator RT – PCR, për praninë e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave.
Ferma e cila është vënë menjëherë në mbikëqyrje veterinare ka qënë në zonën e survejancës 10 km me vatrën në malin e Rrencit. Është kontrolluar 3-herë gjatë periudhës se karantinës në datat 27.11.2024 dhe në datat 02.12.2024 dhe 09.12.2024, nga ku është konstatuar gjendje e mirë shëndetësore e kafshëve në fermë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me strukturat ligj-zbatuese kanë marrë masat dhe është në gatishmëri të çdo rasti për menaxhimin në kohë dhe pa vonesë të kufizimit për përhapjen e sëmundjes.
Ditën e sotme, në datë 27.12.2024 është mbajtur takimi i Qendrës Kombëtare të Krizës dhe ka hyrë në fuqi Urdhri nr.1131 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Murtajës Afrikanë në Derrat e butë”, në të cilin udhërohen masa shtesë për:
1. Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të derrave të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Bashkinë Lezhë.
2. Ndalimin në territorin e Bashkisë Lezhë të lëvizjes së derrave të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet, panairet dhe ekspozitat e kafshëve të gjalla.
3. Veterineri zyrtar me miratim të titullarit të DRVMB mund të autorizojë lëvizjet e derrave të mbarështuar nga fermat pa prani të sëmundjes, që ndodhen në zonën e mbrojtes direkt për në një thertore, e cila ndodhet sa më afër që të jetë e mundur me fermën e origjinës dhe brenda zonës së mbrojtjes, ose në zonën e mbikëqyrjes, kur nuk është e mundur që kafshët të theren në zonën e mbrojtjes.
4. Të kryhet inventarizimi dhe gjurmimi me teste laboratorike konfermatore për sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave, në zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, në Njësitë Administrative: Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll të Bashkisë Lezhë.
5. Të forcohet marrja e masave për kontrollin e lëvizjes së kafshëve, zbatimin e masave të Biosigurisë dhe masave sanitaro-veterinare në zonën e mbrojtjes dhe mbikqyrjes në Njësitë Administrative Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll.
I bëjmë thirrje pronarëve të kafshëve të zbatojnë masat karantinore dhe të biosigurisë, veterinerëve privatë, teknikëve veterinarë, drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, punonjësve e shërbimit pyjor dhe gjuetarëve, që për cdo rast dyshimi apo prani të shenjave klinike në derra, të informojnë pa vonesë Shërbimin Veterinar Rajonal në numrin e gjelbër 08003366 ose në rrugë zyrtare në adresën e e-mailit info@akvmb.gov.al.
Njoftojmë qytetarët se Murtaja Afrikane e Derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun, mirëpo ajo përbën një rëndësi të madhe për ekonominë dhe shëndetin e popullatës së derrit, në vendin tonë.